Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te takimet e fundit të zhvilluara nga Ervin Salianji dhe përplasjet verbale që pasuan brenda opozitës.

Këlliçi theksoi se Partia Demokratike e vlerëson mendimin ndryshe dhe se kjo ka qenë gjithmonë një praktikë e njohur brenda forcës politike. Sipas tij, debatet e brendshme janë normale, por çdo zhvillim që largon vëmendjen e opinionit publik nga aferat qeveritare nuk i shërben opozitës.

“Është fakt i njohur që PD e lejon mendimin ndryshe. Çdo zhvillim i brendshëm politik, që sadopak mund të eklipsojë vëmendjen publike nga aferat publike, sigurisht që nuk ndihmon PD-në dhe opozitën. Unë preferoj që çdo sekondë që kam mundësinë të flas në media ta shfrytëzoj kundër qeverisë,” u shpreh Këlliçi.

Këlliçi foli edhe për debatet e shpeshta brenda PD-së, duke zbuluar se në disa raste ka mbajtur qëndrime më radikale ndaj prokurorëve të caktuar sesa kryetari i partisë, Sali Berisha. Ai theksoi se ka tentuar të kontribuojë në moderimin e gjuhës dhe të situatave politike.

“Shumë shpesh kemi debatuar. Unë kam pasur qëndrime më radikale për prokurorë të caktuar se Berisha, ndërsa ai ka qenë më polarizues në retorikë. Jam përpjekur që të shkojmë drejt një moderimi të gjuhës dhe situatave për shumë çështje,” deklaroi Këlliçi.

Në përfundim, ai garantoi se drejtuesi i PD-së është i hapur ndaj diskutimit dhe argumenteve racionale.

“Te kreu i PD-së, për sa kohë flet me logjikë dhe gjuhë racionale, ke përballë një njeri që dëgjon,” përfundoi deputeti demokrat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb