Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka folur mbi zhvillimet e fundit politike dhe ngërçin institucional lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Korreshi, anëtar i Këshillit të Mandateve, theksoi se organi ku bën pjesë nuk është gjykatë dhe nuk vlerëson prova, por shqyrton nëse ekzistojnë indicie për inkriminim apo nëse çështja ka natyrë politike.

 

Sipas Korreshit, motivi kryesor i kërkesës për arrestim lidhet me rrezikun e prishjes së provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Ai deklaroi se kërkesa e SPAK është fokusuar në çështje që lidhen me Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe, ndërsa elementë të tjerë pritet të trajtohen në një fazë të mëvonshme të hetimeve. Deputeti shtoi se në Këshillin e Mandateve janë pesë juristë dhe se, sipas tij, jo të gjitha provat janë bërë ende publike.

I pyetur për pretendime të tjera që qarkullojnë në opinionin publik si videot me skandale të natyrës seksuale, Korreshi mohoi ekzistencën e materialeve të tipit video apo foto në këtë dosje, duke theksuar se bëhet fjalë për materiale që lidhen me elementët fillestarë të hetimit. Lidhur me zërat për pasuri të konsiderueshme të Ballukut si pretendimi për posedimin e 300 apartamenteve, ai u shpreh se “ku ka zë, nuk është pa gjë”, por nënvizoi se Këshilli i Mandateve nuk kryen hetime dhe nuk ushtron funksione të prokurorisë.

Korreshi theksoi se, sipas Kushtetutës, Këshilli vlerëson vetëm nëse ka indicie për vepra penale ose nëse procesi është i motivuar politikisht, duke shtuar se, sipas tij, rasti në fjalë nuk ka natyrë politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb