Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka hedhur një sërë pretendimesh lidhur me ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, duke kërkuar përgjigje nga kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj për procedurat që çuan në emërimin e saj në krye të institucionit. Balliu tha për emisionin “Minuta e parë” në News24 me Ola Brukon se i ka dërguar dy shkresa Presidentit për të kërkuar informacion mbi procedurat e ndjekura për zgjedhjen e Hysenit, por sipas tij nuk ka marrë përgjigje. Ai kundërshtoi gjithashtu mospranimin e mocionit me debat në Kuvend për këtë çështje.
“I kam dërguar dy shkresa Presidentit për rastin e Vlora Hysenit, se si u bënë procedurat për zgjedhjen e saj në krye të SHISH. S’kam asnjë përgjigje. Mocioni me debat mohohet. Është normale se nëse hetohet dhe diskutohet kjo çështje, faktohet se kryetari i grupit të strukturuar kriminal është Rama”, deklaroi Balliu. Deputeti i PD-së ngriti edhe pyetje mbi rolin që, sipas tij, mund të kenë pasur institucione të ndryshme në çështjen e Hysenit, duke përmendur Policinë, Sigurinë Kibernetike, AKSHI-n dhe SHISH-in.
“Agasi nuk ka fuqi që të drejtojë Hysenin, t’i japë asaj urdhra. Ai kërkon që të përfshijë SHBA-të në zgjedhjen e Vlora Hysenit. Kjo është loja. Si loja që bënë me Roni Yeffet. Mund të ketë ndonjë që ia ka propozuar apo mbështetur, por nuk janë SHBA-të. Kush ia ka mbështetur, ia bëjmë analizën”, tha ai. Balliu përmendi gjithashtu një udhëtim të Hysenit në Serbi, për të cilin tha se ka ndodhur pas emërimit të saj.
“Udhëtimi i Vlora Hysenit, ka qenë për herë të parë, pasi u emërua, ka qenë në Serbi. Kjo është e faktuar. S’kemi asnjë punë më me të, e vetmja punë është Rama. I kemi kërkuar informacione për këtë çështje, Kryeministrisë dhe Presidencës”, u shpreh deputeti demokrat.
Në vijim, Balliu ngriti edhe pyetje lidhur me procedurat për pajisjen me shtetësi shqiptare, duke pretenduar se procesi kalon në disa filtra institucionalë. “Procedurat për t’u pajisur me shtetësi shqiptare kalon në disa filtra të ndryshëm. Kur duan të japin një pasaportë, e japin shpejt. Por për futbollistët tanë s’e gjejnë dot mundësinë”, përfundoi Balliu.
