Banorët e fshatit Luz në Fushë-Krujë protestuan sërish për ndërtimin e rrugës, që i lidh ata me autostradën Tiranë–Fushë Krujë–Milot. Sipas banorëve rruga është dëmtuar nga kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, ndërsa thonë se autoritetet vendore në Krujë nuk kanë marrë asnjë masë për rikonstruksionin e saj. Gjendja e rrugës paraqitet
problematike në çdo kohë, pasi në dimër gropat e thella mbushen me ujë, duke dëmtuar automjetet, ndërsa në verë pluhuri mbulon zonën.
Protestës së banorëve iu bashkua sërish edhe ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja i cili i bën thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar që të shohin gjendjen e rrugës dhe të veprojnë për zgjidhjen e problematikës.
“Kanë dalë për të drejtën e tyre legjitime për rrugën. Edhe sot e kanë bllokuar rrugën sepse janë në të drejtën e tyre. Kjo është një protestë për të drejtat e tyre qytetare. Kemi parë se në të gjithë Shqipërinë po bllokohen rrugët, po bien masive dheu ndërkohë që këtu është problem tjetër. Para 15 vitesh, kanë dalë këtu për të bllokuar rrugën që ky aks të mos bëhej sepse është rrugë lagjeje, fshati.
Luzi ia dha këtë rrugë qytetit të Fushë Krujës, e bëri këtë sakrificë dhe ta lënë Luzin në këtë formë është krim. Prandaj është e drejtë e këtyre banorëve jo vetëm me dalë në protestë por me bërë akse të tjera sepse këtu duhet një përgjigje. Prandaj bëj thirrje nga Luzi ARRSH, se e dimë se në çfarë skandalesh është përfshirë, të vij këtu drejtori dhe të shohë rrugën. Në rast se këtu kalon makina e tij, atëherë t’u thotë luzjanëve që të kalojnë edhe makinat e tyre.”, u shpreh Kalaja.
Ky segment rrugor është pjesë e Unazës së Madhe të qytetit të Fushë-Krujës, ndërsa banorët u bëjnë thirrje Bashkisë së Krujës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, në varësi te Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës që të ndërhyjnë sa më parë për rikonstruksionin e aksit.
