Përgjigjja ka më shumë rëndësi sesa mendoni. Shkruan The Economist

“Nuk mund të ketë miqësi mes burrave dhe grave, sepse gjithmonë ndërhyn tërheqja fizike”.

Ky mendim pesimist, i shprehur nga personazhi Harry në filmin “When Harry met Sally” (Kur Harry takoi Sally-n), në vitin 1989, vazhdon të përqafohet gjerësisht edhe sot.

Autoriteti fetar shtetëror i Turqisë e ka formuluar edhe më ashpër këtë ide, duke e shpërndarë si mesazh për t’u lexuar në rreth 90 mijë xhami të vendit:

“Miqësitë mes burrave dhe grave, që fillojnë me dëshirën për shoqëri apo për të shkëmbyer mendime, i çojnë njerëzit drejt humnerës së mëkatit të shkeljes së kurorës”.

Ideja se marrëdhëniet intime “ndërhyjnë” në miqësinë mes gjinive nuk është e pabazuar.

Një studim i kryer në SHBA nga psikologia April Bleske-Rechek në Universitetin e Wisconsin-Eau Claire zbulon se në marrëdhëniet platonike mes burrave dhe grave, burrat kanë shumë më tepër gjasa se gratë ta shohin mikeshën e tyre si tërheqëse dhe të besojnë se edhe ajo ndien të njëjtën gjë për ta.

Sa më shumë një burrë të ndiejë tërheqje ndaj një gruaje, aq më shumë bindet se edhe ajo ndien të njëjtën gjë, pavarësisht realitetit. Ky është një ilustrim i qartë i prirjes mashkullore për të besuar me dëshirë në një realitet që nuk ekziston.

Por kjo nuk nënkupton se miqësitë mes burrave dhe grave janë të pamundura. Shumica e njerëzve janë në gjendje të kontrollojnë dëshirat e tyre.

Për më tepër, miqësitë mes burrave dhe grave janë jashtëzakonisht të vlefshme, jo vetëm për vetë vlerën e miqësisë, që siç shkruante dikur John Evelyn, “është fija e artë që lidh zemrat e të gjithë botës”, por edhe sepse në shoqëritë ku ekziston kjo lloj miqësie, ka më shumë barazi midis gjinive sipas një sërë treguesish shoqërorë.

Një studim i përbashkët i kryer nga Meta dhe Universiteti i Nju Jorkut analizoi marrëdhëniet mes 1.8 miliardë përdoruesve të rritur të Facebook.

Studiuesit përdorën një algoritëm të zhvilluar nga vetë platforma për të vlerësuar afërsinë e lidhjeve, duke u bazuar në faktorë si shpeshtësia e ndërveprimeve dypalëshe.

Kjo u përkthye në një “indeks të miqësisë midis gjinive”, që me shaka mund të quhej “Indeksi kur Harry takoi Sally-n” (WHMSI).

Një vlerë zero nënkupton ndarje të plotë midis gjinive; vlera një nënkupton barazi të numrit të miqve nga të dyja gjinitë; çdo vlerë mbi një tregon se njerëzit kanë më shumë miq të gjinisë tjetër sesa të gjinisë së tyre.

Sigurisht, lidhjet dixhitale nuk janë një pasqyrë e përsosur e miqësive reale. Ato nuk përfaqësojnë njerëzit që nuk mund të përdorin internetin për arsye të ndryshme, si dhe nuk japin informacion për vende si Kina, ku Facebook është i ndaluar.

Po ashtu, në disa vende është e zakonshme të shtosh “miq” që nuk i njeh personalisht, ndërsa në të tjera kjo është e pazakontë, vëren bashkautorja e studimit Theresa Kuchler.

Megjithatë, për shkak të përmasës së jashtëzakonshme të të dhënave, rreth 1.4 trilionë lidhje mes 1.8 miliardë përdoruesish, rezultatet janë domethënëse.

Shoqëritë myslimane konservatore në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut rezultojnë më të ndarat. Libianët, irakianët dhe egjiptianët kanë më pak se një mik të gjinisë tjetër për çdo dhjetë miq të së njëjtës gjini (vlera e indeksit 0.1).

Në disa rajone të Karaibeve, Afrikës Perëndimore dhe Jugore dhe Amerikës Latine, miqësitë midis gjinive janë shumë të zakonshme (edhe pse nuk është e qartë se sa prej tyre përfshijnë kontakte reale).

Në shumicën e vendeve perëndimore, indeksi varion nga 0.5 deri në 0.6, që do të thotë se njerëzit kanë afërsisht dyfishin e miqve të së njëjtës gjini krahasuar me ata të gjinisë tjetër.

Brenda vetë shteteve ka gjithashtu variacione të mëdha. Gjermanët në lindje rezultojnë më të hapur ndaj miqësive me gjininë tjetër sesa ata në perëndim.

Kur analizohen rrjetet më të gjera të miqësisë, parashikuesi më i mirë i nivelit WHMSI në një vend është përqindja e grave që janë aktive në tregun e punës krahasuar me meshkujt.

Kjo është e kuptueshme: vendet e punës ofrojnë hapësira për ndërveprim joromantik mes gjinive.

Kjo mund të shpjegojë, për shembull, pse në Nigeri, ku norma e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore përbën 96% të asaj të burrave, indeksi WHMSI është 0.67, ndërsa në Indi, me një normë vetëm 43%, indeksi arrin 0.34.Qasja liberale

Edhe qasja liberale ndaj marrëdhënieve intime mund të ndikojë. “The Economist” analizoi të dhënat e 55 vendeve kryesisht në zhvillim, të mbledhura nga Anketat Demografike dhe Shëndetësore (DHS).

Miqësitë midis gjinive ishin më të zakonshme në ato vende ku më shumë gra kishin raportuar marrëdhënie intime me burra, që nuk ishin as bashkëshortë e as partnerë bashkëjetues.

Kjo e mbështet frikën e imamëve turq se shoqërimi çon në mëkat, por po ashtu sugjeron se qëndrimet liberale ndaj romancës dhe miqësisë shpesh shkojnë bashkë.

Kur fokusi vendoset te rrethi më i afërt i miqve, pesë miqtë më të ngushtë në Facebook, lidhja me normat gjinore është edhe më e fortë.

Në anën më ekstreme të ndarjes midis gjinive qëndron një tregues i fortë i paragjykimeve gjinore, i quajtur “sindroma patrilineare/vëllazërore”, i konceptuar nga studiueset Valerie Hudson, Donna Lee Bowen dhe Perpetua Lynne Nielsen.

Ky përfshin trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtën familjare dhe pronësore, martesat në moshë të re dhe qëndrime regresive ndaj dhunës ndaj grave, si për shembull, kur përdhunimi nuk trajtohet si krim ndaj viktimës, por si fyerje ndaj familjes apo burrit të saj.

“Aty ku nderi i burrit varet nga kufizimi i lirisë së gruas, miqësitë midis gjinive janë të rralla”, – argumenton Alice Evans nga King’s College London.

Edhe studiuesja turke Nuray Karaman nga Universiteti i Usak e konfirmon:

“Në Turqi është e pazakontë që burrat dhe gratë të jenë miq. Nderi i familjes lidhet me sjelljen e grave, prandaj është e pritshme që gratë të mos kenë kontakte me burra jashtë rrethit familjar”.

Ndarja gjinore dhe diskriminimi ndaj grave e përforcojnë njëri-tjetrin.

“Kur burrat dhe gratë nuk shoqërohen, përhapen stereotipa si: gratë nuk duhet të kenë përgjegjësi të mëdha; janë shumë emocionale; nuk mund të marrin vendime, sepse shumë burra nuk kanë pasur kurrë një shefe grua”, – shpjegon Karaman.

Turqia ka normën më të ulët të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në OECD, ndoshta sepse “disa gra nuk mund të marrin leje për të punuar jashtë shtëpisë nga burrat apo etërit e tyre”.

Edhe kur punojnë, ndarja gjinore joformale është një pengesë: “Në universitetin tim, burrat e stafit mblidhen për çaj, pa gratë. Kur gratë përjashtohen, humbasin mundësi”.

Edhe format më të buta të diskriminimit ndaj grave lidhen me mungesën e miqësive midis gjinive. Në botën e pasur, shumica e të anketuarve shprehen kundër idesë se “burrat janë drejtues më të mirë biznesi se gratë”.

Por në Korenë e Jugut, përgjigjet janë të pavendosura dhe raporti i miqve të gjinisë tjetër ndaj atyre të së njëjtës gjini është më pak se një e treta. An Jong Gyun, një aktor 33-vjeçar korean, thotë se “nuk i ka shkuar kurrë ndër mend” të ketë një shoqe platonike.

“Është e vështirë të ndjesh se jemi të njëjtë. Burrat pëlqejnë të pinë e të luajnë videolojëra. Gratë pëlqejnë të bisedojnë”. Ndonëse është i pashëm, An nuk është në një lidhje romantike.

Kjo ftohtësi në marrëdhëniet midis gjinive në Korenë e Jugut ndikon në shumë aspekte.

Vendi renditet i parafundit në Indeksin e “tavanit prej xhami” (glass ceiling index), që mat barazinë në vendin e punës. Përplasja politike mes burrave dhe grave të rinj në këtë vend është ndër më të thellat në botën e pasur.

Një studim i sociologut Youm Yoosik tregon se përqindja e të rriturve koreanë, që nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale në 12 muajt e fundit është trefishuar që nga viti 2001, duke arritur 36%.

Shumica e burrave që jetojnë vetëm nuk e kanë bërë vetë këtë zgjedhje; ndërsa gratë shmangin me vetëdije lidhjet me burrat, ndoshta për shkak të qëndrimeve të tyre.

Është e vështirë të thuash se çfarë vjen më parë: a bëhen burrat më pak paragjykues ndaj grave sepse kanë më shumë shoqe, apo kanë më shumë shoqe sepse janë më pak paragjykues? Ndoshta të dyja janë të vërteta.

Një studim nga David Kretschmer në Universitetin e Oksfordit tregon se shoqërimi me vajza ndryshon qëndrimet e djemve gjermanë. Ai analizoi mbi 3,000 adoleshentë, kryesisht nga shkolla me përqindje të lartë nxënësish me prejardhje emigrantësh.

Në moshën 14–15 vjeç, fëmijëve iu kërkua të tregonin kush ishin miqtë e tyre dhe si e shihnin ndarjen e roleve në familje: duhet që gratë të kujdesen për shtëpinë dhe fëmijët, ndërsa burrat të fitojnë para, apo duhet që këto detyra të ndahen në mënyrë të barabartë?

Një vit më vonë, adoleshentët iu përgjigjën të njëjtave pyetje. Kretschmer zbuloi se djemtë që kishin më shumë shoqe u bënë më të hapur ndaj barazisë midis gjinive, ndërsa vajzat nuk ndryshuan qëndrim.

Ai mendon se vajzat janë më të qëndrueshme në bindjet e tyre, sepse kanë më shumë për të humbur.

Nëse duan një karrierë dhe një bashkëshort që i mbështet, nuk kanë arsye të heqin dorë nga ky qëllim për të kënaqur miqtë.

Djemtë, përkundrazi, mësojnë nga vajzat se ato presin trajtim të barabartë. Dhe e respektojnë këtë pritshmëri, ndër të tjera sepse shumë prej tyre mund të dëshirojnë një lidhje romantike me ndonjërën prej tyre.

A mund të bëhet diçka për të ndihmuar që të rinjtë të shkojnë më mirë me njëri-tjetrin? Dr. Karaman shpreson se përhapja e arsimit të lartë do të ndihmojë.

Universitetet ofrojnë hapësirë ku burrat dhe gratë mund të shoqërohen larg syve gjykues të prindërve.

Të tjerë sugjerojnë se kjo duhet të nisë që në arsimin parashkollor, ku djemtë dhe vajzat zakonisht luajnë të ndarë dhe ku normat gjinore shpesh përforcohen me tallje nga bashkëmoshatarët.

Laura Hanish dhe Carol Lynn Martin nga Universiteti Shtetëror i Arizonës eksperimentuan me një program të quajtur “Buddy Up”.

Në klasa parashkollore, çdo fëmijë u bashkua me një tjetër për të kryer një aktivitet argëtues.

Çdo javë u ndryshuan çiftet. Mësuesve iu kërkua të kujdeseshin që djemtë të punonin sa më shpesh në çift me vajza.

Disa muaj pas përfundimit të eksperimentit, djemtë që kishin kryer aktivitetet me vajza, kishin më shumë gjasa të luanin me to, sesa ata në grupin e kontrollit që nuk kishin kaluar këtë përvojë.

Rezultatet përputhen me teorinë e “kontaktit midis grupeve”, sipas së cilës ndërveprimet pozitive mes grupeve të ndryshme zbusin paragjykimet.

Zakonisht vlen për grupe etnike apo fetare, por mund të jetë e përshtatshme edhe në kontekstin e marrëdhënieve midis gjinive.

“Sa më shumë miqësi të kesh, aq më pozitive bëhen qëndrimet”, thotë profesorja Martin. “Miqësia mund të duket si gjë e thjeshtë”, – përfundon Karaman, “por është një hap i fuqishëm drejt barazisë së vërtetë.”/ Monitor

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb