Në episodin më të fundit të “Public Square”, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi një bisedë të zgjeruar me Ambasadorin amerikan Daniel Fried, ekspert në Atlantic Council dhe një nga figurat kyçe të politikës amerikane për Europën pas Luftës së Ftohtë. Diskutimi u përqendrua te gjendja e marrëdhënieve transatlantike, ndryshimet në rendin global dhe sfidat që përballin NATO-n dhe Perëndimin.

Ambasadori Fried vlerësoi fjalimin e Sekretarit amerikan të Shtetit në Konferencën e Sigurisë në Mynih si një mesazh me elemente pozitive për partneritetin transatlantik, por theksoi se ai kishte mangësi serioze, sidomos mungesën e një trajtimi të fortë të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mesazhet e përziera që vijnë nga politika e jashtme amerikane. Sipas tij, Europa duhet të rrisë përgjegjësitë për mbrojtjen dhe të ndërtojë një rol më të fortë brenda NATO-s, ndërsa marrëdhënia me SHBA mbetet e domosdoshme pavarësisht tensioneve të fundit.

Biseda trajtoi edhe ndryshimin e rendit ndërkombëtar dhe bashkëpunimin e fuqive autoritare. Fried theksoi se epoka e besimit të pakufizuar në globalizim ka përfunduar dhe se Perëndimi duhet të bashkohet përballë sfidave nga Rusia dhe Kina, duke paralajmëruar kundër iluzioneve për një afrim strategjik me Moskën. Ai nënvizoi se një Europë më e fortë dhe më e aftë për të vepruar vetë do të ishte zhvillim pozitiv për të ardhmen e aleancës.
Në fund të intervistës, Ambasadori Fried komentoi edhe nismën e re të Presidentit Trump për krijimin e një “Bordi Paqeje”, duke ngritur pikëpyetje mbi koherencën dhe objektivin real të kësaj iniciative.

Sipas tij, përbërja e vendeve të ftuara, disa prej tyre me standarde të diskutueshme demokratike, ngre dilema mbi natyrën e këtij formati dhe mbi kriteret e përzgjedhjes. Ai sugjeroi se për shumë liderë pjesëmarrja mund të jetë më shumë një investim në marrëdhëniet me Washingtonin sesa një angazhim thelbësor për zgjidhjen e konfliktit në Gaza, i cili u paraqit si misioni fillestar i Bordit. Fried theksoi se çdo nismë e re ndërkombëtare duhet të gjykohet mbi bazën e rezultateve konkrete dhe jo mbi retorikën politike, duke shtuar se nëse Bordi synon të zgjerojë ambiciet përtej Gazës, ai duhet fillimisht të dëshmojë efektivitet dhe qartësi strategjike. Në të kundërt, ekziston rreziku që iniciativa të perceptohet si instrument simbolik ose si platformë politike pa ndikim real në terren.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: