Pas alarmit për qarkullimin e virozave agresive dhe zërave për raste të Hantavirusit, mjeku i njohur Ardian Jorgji, ka sqaruar situatën epidemiologjike në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, Jorgji analizoi fluksin e madh të pacientëve nëpër spitale dhe u përgjigj hapur nëse ka arsye për panik lidhur me viruset e rrezikshme që vijnë nga brejtësit.
Sipas mjekut Jorgji, periudha aktuale po përballet me një agresivitet të shtuar të viruseve për shkak të luhatjeve të menjëhershme të motit. Ai theksoi se spitalet dhe ambulancat janë të mbingarkuara.
“Kemi një përzierje të virozave respiratore me ato gastrointestinale. Pacientët vijnë me temperaturë të lartë, këputje trupore, por edhe me probleme të stomakut e të vjella. Kjo situatë po prek pa dallim si fëmijët, ashtu edhe moshat e rritura”, u shpreh infektologu.
I pyetur drejtpërdrejt nëse po mbahet sekret prania e Hantavirusit Jorgji hodhi poshtë teoritë e konspiracionit, por bëri thirrje për kujdes të jashtëzakonshëm, veçanërisht për ata që zgjedhin të bëjnë turizëm malor apo punojnë në fshat.
“Nuk ka vend për të thënë se po mbahet diçka e fshehtë, por duhet të jemi shumë vigjilentë. Hantavirusi transmetohet nga brejtësit në zonat rurale dhe pyjore. Nëse konsumohet ushqim apo ujë i ndotur nga sekrecionet e miut, pasojat mund të jenë fatale, deri në ethe hemorragjike dhe bllokim të veshkave. Kushdo që shkon në natyrë apo shtëpi të vjetra, duhet të lajë duart mirë dhe të mos konsumojë asgjë pa u siguruar për higjienën”, paralajmëroi mjeku.
Një tjetër shqetësim i madh i ngritur nga mjeku ishte kultura e keqe e vetëmjekimit tek shqiptarët, të cilët sipas tij po dynden nëpër farmaci sapo shohin shenjat e para të temperaturës.
“Është një gabim fatal që e shoh përditë. Antibiotiku nuk ka asnjë efekt mbi viruset, ai lufton vetëm bakteret! Kur qytetarët marrin antibiotikë me kokë të tyre për një virozë, ata thjesht shkatërrojnë florën bakteriale dhe ulin imunitetin e organizmit. Në këtë mënyrë, e bëjnë trupin edhe më të pambrojtur ndaj viruseve të tjera që qarkullojnë në ambient”, tha ai.
