Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar rezolutën për integrimin europian të miratuar së fundmi në Parlament, duke deklaruar se dokumenti pasqyron qëndrimin konsekuent të opozitës për një proces integrimi të bazuar te merita dhe performanca. I pyetur nga gazetari i News24 Osman Stafa se përse në rezolutë nuk përmenden emra konkretë si Belinda Balluku apo çështje që lidhen me qeverinë, Berisha u shpreh se ato “janë të nënkuptuara në çdo paragraf të rezolutës”.
Sipas tij, dokumenti nuk përmban asnjë vlerësim pozitiv për punën e qeverisë apo parlamentit në procesin e integrimit europian. “Lubi Balluku është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve. Olta Xhaçka është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve”, deklaroi Berisha. Ai shtoi se opozita ka mbështetur gjithmonë integrimin europian të Shqipërisë, por sipas tij, vendi nuk përmbush kriteret përveç atij gjeopolitik.
Osman Stafa, NEWS24: Zoti Berisha, prej muajsh një nga kauzat tuaja publike janë edhe denoncimet kundër Belinda Ballukut, madje keni deklaruar se çështja e saj, bllokimi që Edi Rama i bëri drejtësisë, i ka kushtuar Shqipërisë dhe po i kushton procesin e ngadalësuar të integrimit ose bllokimin e saj, ndërkohë në rezolutën që keni miratuar ditën e djeshme me PS nuk e pamë fare emrin e Ballukut apo çështjeve të tjera që ju lidhni edhe familjen e kryeministrit, AKSHI-n, të shkruar apo të propozuar të paktën?
Sali Berisha: Në mënyrë absolute në atë rezolutë nga rreshti i parë tek i fundit, nuk shprehet asnjë vlerësim, edhe më i vogël qoftë për punën e parlamentit dhe të qeverisë në procesin e integrimit, siç mund ta konstatosh. Por, plotësisht dakord me ty. Meritonin edhe ato të ishin, por atëherë rezolutë nuk do kishte.
Ato janë me vetëkuptim në çdo paragraf. Lubi Balluku është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve.
Olta Xhaçka është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve.
Roli qendror i parlamentit është trajtuar në disa paragrafe ku është kërkuar të merret sepse nuk ekziston.
Kërkesat ndaj qeverisë janë parashtruar sepse ajo nuk ka asgjë në atë fushë.
Dhe në fund konkludohet që integrimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritë, ashtu siç ka kërkuar PD gjithnjë.
Pra, është e vërtetë ajo që thoni, por është e vërtetë se me nënkuptim janë në çdo paragraf.
Përndryshe nuk do kisht rezolutë. Por ne besojmë se ajo rezolutë paraqet në njëfarë aspekti, duke zhveshur totalisht nga çdo pretendimi i gjer sotshëm i parlamentit dhe qeverisë, përbën një qëndrim të opozitës, e cila prej dy vitesh ka një deklaratë. Deklarata e saj është kjo: që ne mbështesim plotësisht procesin e integrimit, por theksojmë se Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik, që është një kriter shumë i rëndësishëm, nuk plotëson asnjë kriter tjetër.
Në qoftë se e lexon me këtë sy atë rezolutë, kjo që kemi shprehur dy vite më parë, mishërohet në çdo paragraf të saj.
Në rast se do të kërkonim që tek AKSHI, kopshti privat i Edi Ramës, të dilte emri i Linda Ramës krahas Mirlindës, tek Lubi Balluku, Edi Rama dhe të tjerë, sigurisht Edi Rama nuk i lejonte kurrë ata që ta votonin. Por ata votuan një rezolutë, e cila nga alfa tek omega shtron kërkesa dhe nuk ka asnjë vlerësim të vetëm për punën e qeverisë dhe parlamentit në drejtim të integrimit.
Përkundrazi në çdo frazë bën të qartë problematikat e mëdha të cilat duhet të adresohen gjer tek denoncimi që i bëhet përpjekjes Rama-Vuçiç për rrugët e tjera të integrimit.
Nga ana tjetër, rezoluta fakton para shqiptarëve edhe njëherë konsekuencën e PD ndaj procesit të integrimit.
Ndaj integrimit të bazuar në meritë, në performancë.
Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj, duke i cilësuar përgjegjës për atë që ai e quan “një mashtrim publik dhe ndërkombëtar” lidhur me projektin “Diella”. Ai pretendon se “Diella”, e prezantuar nga qeveria si një sistem i inteligjencës artificiale për luftën kundër korrupsionit, në realitet është “një avatar bosh pa asnjë element të inteligjencës artificiale”.
Ai shprehet se ky projekt është përdorur, sipas tij, për të krijuar një imazh të rremë në opinionin publik dhe për të “fshehur probleme serioze të korrupsionit”. Berisha shkon më tej duke e cilësuar këtë rast si “krim kushtetues” dhe “turp ndërkombëtar”, duke akuzuar qeverinë se ka përdhosur institucionet dhe ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë jashtë vendit. Ai i referohet edhe një analize të ekspertit ndërkombëtar Patrick Quirk, i cili sipas tij ka arritur në përfundimin se sistemi “nuk ka asnjë funksion real të inteligjencës artificiale”. Nga ana tjetër, qeveria nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar ndaj këtyre deklaratave.
“Çdo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra. Çdo gënjeshtër është një turp, është në vetvete një amoralitet.
Por gënjeshtrat në rang ndërkombëtar janë turp botëror. Dhe këtu unë do denoncoj para shqiptarëve një turp botëror të Edi Ramës dhe Haram Begajt, të cilët do hyjnë në librin e Ginesit si mashtruesit më të pacipë të opinionit publik. Kur nga vjeshta e kaluar, Edi Rama paraqiti para shqiptarëve dhe botës një avatar, Diellën si institucioni i inteligjencës artificiale, e emëroi ministër dhe e dekretoi ministër Haram Turpi, ne e ngritëm zërin, ne thamë se ky është një bllof dhe vetëm një bllof. Se Diella është vetëm një mashtrim për të vjedhur disa milionë euro dhe asgjë tjetër. Edi Rama e paraqiti ministrin Diella si të gjithëfuqishmin në luftën kundër korrupsionit. Për fat të keq, mediat ndërkombëtare fillimisht u mashtruan nga ky bllof i turpshëm, nga ky akt i paprecedent në historinë e botës. Ndërkohë që Diella nuk kishte asnjë lidhje me urtësinë artificiale, nuk kishte asnjë element të saj, ishte thjesht një avatar bosh, një bllof i Edi Ramës për të maskuar vjedhjet e tij të tmerrshme që do dëshmoheshin dhe që dëshmohen çdo ditë. Për sa më sipër, falë një eksperti më të shquar të fushës ndërkombëtar, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit një për një të Diellës, ai nxjerr se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale.
Zero! Se është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe, etj, etj. Një shkrim i gjatë i një profesionisti të përgjegjshëm, ndërkombëtarisht të njohur në këtë fushë, nxjerr në pah të gjithë shëmtinë e mashtrimit Rama-Begaj, të cilët përdhosën Kushtetutën, përdhosën moralin e shtetit shqiptar, mashtruan shqiptarët dhe botën duke emëruar një ministre, një bot pa asnjë funksion për korrupsionin, pa asnjë atribut, pa asnjë aftësi. Ky është një krim i shëmtuar kushtetues. Kjo është një damkosje tjetër e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe botë.”, tha ai.
