Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka transferuar me kalim kapitali pa pagesë një automjet në favor të Bashkisë Bulqizë, për t’u përdorur në ofrimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët me aftësi ndryshe në zonat e thella të kësaj bashkie.

Automjeti, pjesë e flotës së pasurive të konfiskuara që administrohen nga AAPSK, do të vihet në funksion të projektit social të mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që ka për synim ofrimin e terapive dhe shërbimeve të kujdesit në banesë për fëmijë me aftësi të kufizuara.

Whatsapp Image 2025 06 10 At 16.33.49
Whatsapp Image 2025 06 10 At 16.33.49

E pranishme në ceremoninë e dorëzimit të automjetit, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja falenderoi Komitetin Ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar për gatishmërinë e treguar për të mbështetur këtë nismë sociale dhe theksoi se institucioni që drejton mbetet i angazhuar për të kontribuar në ndihmë të komunitetit dhe shtresave në nevojë.

Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri vlerësoi AAPSK për ndihmën dhe theksoi se mjeti i transportit do të jetë shumë i vlefshëm për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi ndryshe, sidomos atyre që jetojnë në zonat e thella të Bashkisë Bulqizë.

Kjo mbështetje për Bashkinë Bulqizë do të ndihmojë në përmirësimin e aksesit në shërbime për rreth 50 fëmijë, të cilëve u ofrohet ndihmë e drejtpërdrejtë në ambientin ku jetojnë, përmes një ekipi profesionistësh lëvizës.

Whatsapp Image 2025 06 10 At 16.33.11
Whatsapp Image 2025 06 10 At 16.33.11

Ky akt i AAPSK është një shembull konkret i kthimit të pasurive të konfiskuara në funksion të mirëqenies sociale dhe mbrojtjes së grupeve në nevojë, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Automjeti do të përdoret ekskluzivisht për qëllime sociale dhe do të mbajë logon e AAPSK, Bashkisë Bulqizë dhe partnerit implementues, Fondacionit Joscelyn.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb