Kristal Abazaj duket se po rigjen formën e tij më të mirë në këtë fund kampionati, duke i dhënë me golat e tij pikë të vlefshme Tiranës, sa i përket arritjes së objektivave.

Edhe pse me penallti, i hapi rrugën tri pikëve të bardhebluve me Erzenin. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 27-vjeçari duket optimist në këtë fund kampionati, teksa ka besim edhe te përmbysja në Kupë me Kukësin. Madje, ai nis të vërë në presion kundërshtarin sa i përket rezultatit të ndeshjes së parë. Abazaj ndalet edhe te merkato dhe e ardhmja e tij, duke qenë se në mbyllje të sezonit del lojtar i lirë.

Kristal, sa i kënaqur jeni me golin dhe tri pikët që morët kundër Erzenit në kampionat? 

Më vjen mirë, sepse ishte një gol i rëndësishëm, i cili na vlen shumë edhe për vazhdimësinë dhe besimin në ekip, pasi kjo gjë na ka munguar. Përveç golit jam i kënaqur për rritjen e ekipit dhe tri pikët e koleksionuara.

Dy fitore radhazi, sa të rëndësishme janë për vazhdimësinë e kësaj skuadre?

Objektivi ynë nga fillimi ka qenë vazhdimësia. Ka pasur një luhatje, por besoj që ta kemi kaluar atë dhe të shohim përpara. Kemi derbin për të luajtur, por më herët kemi një ndeshje më të rëndësishme, siç është ajo e Kupës me Kukësin.

Vini pas një disavantazhi me dy gola në Kupë. Sa e vështirë do të jetë ta ktheni?

Normalisht që për kundërshtarin është një rezultat i mirë. Ashtu si i mirë, është edhe i keq. Unë mendoj se është rezultati më i keq në futboll.

Sa shanse mendoni se ka Tirana për ta kthyer rezultatin e Kupës së Shqipërisë?

Duke parë ekipin, po arrijmë të shprehemi shumë mirë në fushë. Jemi aty me njëri – tjetrin të gjithë dhe nëse luajmë siç kemi bërë në dy ndeshjet e fundit, besoj se do arrijmë ta kthejmë ndeshjen.

Po vjen fundi i kampionatit dhe nis merkatoja. Ku do jetë Abazaj sezonin e ardhshëm?

Të jem i sinqertë nuk e kam prekur fare këtë temë. Jam i fokusuar te fundi i kampionatit dhe kur të mbyllet do kemi kohë për të gjitha të mendojmë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb