“Jam jashtëzakonisht krenar që jam këtu sonte. Kush do që dëshiron të punojë për të mirën e qytetit dhe për të mirën e Ulqinit është i më se i mirëpritur. Vazhdimisht po flasim për mundësitë dhe potencialet që i ka qyteti i Ulqinit dhe të gjithë politikanët janë të mbushur me fjalime për potencialet e Ulqinit, por çdo potencial do të jetë i parëndësishëm nëse nuk fillojmë të punojmë ndryshe. Duhet t’i drejtohemi qytetit tonë”, tha mbrëmë lideri i Lëvizjes Qytetare URA dhe mandatari për përbërjen e Qeverisë së 43-të të Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviç.

Sipas Abazoviç, Ulqini është një nga pikat më të rëndësishme zhvillimore në Mal të Zi. “Fokusi i fushatës sonë zgjedhore do të jetë infrastruktura. Kemi mundësi që të punojmë shumë në këtë drejtim. Por investitorët nuk mund të vijnë në qytetin tonë dhe të interesohen për diçka, nëse ne vetë nuk jemi të interesuar. Duhet të pastrojmë portin e Milenës, të zhbllokojmë hotel “Galebin”, të rregullojmë Plazhin e Vogël. Të ndërtojmë elektranën solare sepse trendet botërore po ndyshojnë. Askush në Podgoricë nuk po punon kundër Ulqinit, por askush nuk do të ngrihet posaçërisht për qytetin tonë. Një nga pikat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Mal të Zi është Ulqini. Le të lulësojmë si ullinjtë tanë”, përfundoi ai.

Më shumë se një mijë të mbledhur nga Ulqini, në hyrje, së bashku me programin e koalicionit “Fillim i Ri”, morën një libër nga 60 shkrimtarë me famë botërore, si Dostojevski, Umberto Eck, Victor Hugo, Kadare, Ivo Andriç…

“Për ne Ulqini nuk ka alternativë. Rregullimi i Shtojit, Kruçit dhe Braticës nuk kanë alternativë. Për ne eliminimi i ndarjeve është domosdoshmëri dhe parakusht për një fillim të vërtetë, të ri të qytetit tonë. Sot më shumë se kurrë Ulqini ka një shans për një fillim të ri – në ekonomi, infrastrukturë, biznes, kulturë”, ka theksuar bartësi i listës së koalicionit “Fillim i Ri”, kandidati për kryetar të Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari..

Besoj se qytetarët do të na mbështesin masivisht me 27 mars.“Nuk ka lëshime, ne do të punojmë çdo ditë së bashku deri më 27 mars për të dëshmuar punën tonë dhe ata që nuk e kanë kuptuar ende që kanë ardhur ndryshimet”, tha Fatmir Gjeka, kreu i PD-së.

Kryetari i Komunës së Tuzit dhe lideri i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, theksoi se nuk është e drejtë që komuna e Ulqinit dhe Tuzit kanë të njëjtin buxhet dhe se fajin e kanë ata që e kanë menaxhuar qytetin deri më tani.

Ulqini ka nevojë për një ekip të mirë, ambicioz dhe të ndershëm, i cili dëshiron të punojë për këtë qytet”, theksoi Gjeloshaj.

Kandidati për këshilltar Qazim Hoxhiç theksoi-“Këta njerëz u bashkuan për të kontribuar që Ulqini të marrë atë që meriton , të jetë një qytet i zhvilluar në të cilin mund të investohet, një qytet ku burimet e shumta të të cilit do të shfrytëzohen në mënyrë adekuate, një qytet që duhet dhe mund të jetë kryeqyteti i turizmit malazez.

“Do të arrijmë fitore të madhe për Ulqinin, me njerëz të rinj dhe profesionistë”, tha kandidati për këshilltar Naser Resulbegoviç.
“Duhet të fokusohemi tek kultura e bashkëjetesës, tek të rinjtë dhe tek ringjallja e ndërgjegjësimit për vlerat e këtij qyteti të lashtë. Për fillimin e ri synohet që Ulqinit t’i kthehet zëri i arsyes dhe drejtësisë”, theksoi kandidatja për këshilltare Hristina Dragoviç.

Gazetari, publicisti dhe analisti shqiptar Mentor Nazarko theksoi se Ulqini është parajsë e natyrës, sepse i ka të gjitha- lumin e lundrushëm; bregdetin e gjatë; malin, fushën, pylli ne liqenin. I ka munguar drejtimi politik; Njëshi (1) që udhëheq zhvillimet pozitive.

“A ka shpresë për Ulqinin? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjeta kur pashë për herë të parë zotërin Abazoviq, i cili po mobilizon rininë. Një njeri që respektohet dhe nderohet nga pjesëtarët e të gjitha kombeve në Mal të Zi”, ka theksuar Nazarko.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: