Kampionati “Abissnet Superiore” ka përmbyllur me sukses dy fazat e para të sezonit 2025-2026. 18 javët e zhvilluara deri më tani kanë sjellë përballje të forta dhe emocionuese për tifozët. Krahasimi i performancës së skuadrave mes sezonit aktual dhe atij të kaluar 2024/2025 nxjerr në pah ndryshimet që kanë ndodhur në renditje.

Në sezonin 2024-2025, pas javës së 18-të kryesonin Dinamo City dhe Vllaznia me nga 31 pikë, ndërsa Egnatia kishte 30 pikë. Në sezonin aktual, kampionatin e udhëheq Egnatia me 37 pikë, duke treguar një ecuri shumë të mirë dhe duke u konfirmuar si një ekip pretendent për titullin.

Dinamo City ka një pikë më shumë se sezonin e kaluar (32 pikë), ndërsa Vllaznia ka një pikë më pak (30 pikë). Ecuria më e spikatur është ajo e AF Elbasanit, që ka kaluar nga 22 pikë në sezonin 2024-2025 në 33 pikë këtë sezon, duke u bërë një nga skuadrat kryesore pretendente për Final Four dhe titullin kampion.

Teuta ka përmirësuar gjithashtu renditjen, nga 22 në 25 pikë. Ndërsa Partizani, që pas përfundimit të dy fazave të para të sezonit të kaluar ishte vetëm një pikë larg vendit të parë (30 pikë), këtë sezon ndodhet në vendin e gjashtë me 23 pikë.

Bylis ka një pikë më shumë se sezonin e kaluar, ndërsa Tirana ka pësuar rënie të dukshme, me vetëm 10 pikë pas dy fazave të para, nga 18 pikë që kishte në sezonin 2024-2025.

Nga dy skuadrat e ngjitura në “Abissnet Superiore” nga Kategoria e Parë, Vora ka 19 pikë, ndërsa Flamurtari ka grumbulluar 14 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb