TIRANE- Aferat korruptive dhe abuzimi me tenderët për ushqimin në burgje, por edhe dëshmia e ish-zëvendësit të tij Iljaz Labi, duket se ka “fundosur” ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto. Gjykata e shpalli sot fajtor, duke e dënuar me 5 vite burg.

Ish-drejtori i Burgjeve Zoto akuzohet se së bashku me Labin, tashmë i penduari i drejtësisë, favorizonin një grup biznesmenësh, të cilët hynin në tendera fiktivë dhe i fitonin ato.

Prokuroria e Krimeve të Rënda për të ndërtuar akuzën ndaj tyre, u bazua edhe tek një sërë telefonatash të përgjuara, ku njëri prej biznesmenëve thotë se do të merrte vulën në Drejtorinë e Burgjeve.

Labi dhe Zoto i fusnin biznesmenët në tenderime pa shpallje me fitues të paracaktuar dhe në një rast ka qenë zëvendësi që i ka çuar drejtorit 20 mijë euro në zyrë për një nga tenderat fiktivë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb