Të paktën 14 nxënës të shkollës së mesme Petro Nini Luarasi në kryeqytet e gjetën veten të mërkurën të përfshirë në një grup Watsapp-i të emërtuar “Kaney West” të hapur nga një mësues i shkollës në të cilin u publikua një listë me emrat e tyre në të. Në listën e dërguar në grup janë emrat e nxënësve, bashkë me të dhënat e ID-ve të tyre, si dhe oferta për të marrë pjesë falas në “aktivitetin e Kanye West në Tiranë”. Mësuesi i caktuar si shoqërues i grupit të nxënësve, Altin Lika, që jep lëndën e Edukimit Fizik në shkollë, i tha BIRN-it se ai ishte caktuar nga stafi drejtues që t’i lajmëronte dhe t’i shoqëronte nxënësit e përzgjedhur nga drejtoria e shkollës.

“Mesa di unë janë zgjedhur në bazë të kontributeve, nxënës të shkëlqyer apo talente”, tha ai ndërsa shtoi se “as nuk e di sa nxënës do të marrin pjesë, pasi një pjesë e tyre janë me pushime”.

Kjo nuk është e vetmja shkollë ku nxënësit janë mobiluzar nëpërmjet një mekanizmi të paqartë ligjor, për të mbushur shkallaret e koncertit të reperit kontrovers amerikan, i cili është promovuar me bujë dhe para publike nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe. BIRN mësoi se e njëjta metodë mobilizimi për sigurimin e pjesëmarrjes në koncert po përdorej nga të gjitha shkollat në kryeqytet, si pjesë e një angazhimi më të gjerë që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të siguruar dhjetëra mijëra pjesëmarrës falas në stadiumin me kapacitet 60 mijë vendesh.

Përveç shkollave të kryeqytetit BIRN mësoi se listat me ftesa për pjesëmarrje në këtë koncert po shpërndahen edhe në administratën publike. Drejtoresha e shkollës Petro Nini Luarsi, Elsa Lici nuk ishte e arritshme për koment se në bazë të çfarë udhëzimi dhe kriteresh e kishte ndërmarrë shkolla këtë iniciativë. Ndërkohë,  në një përgjigje për BIRN, Ministria e Arsimit tha se shpërndarja e ftesave u bë në kuadër të një nisme ndërinstitucionale me Ministrinë e Kulturës dhe ajo e Mirëqënies Sociale, ku një numër i kufizuar ftesash iu vu në dispozicion institucioneve për t’u shpërndarë, sipas kritereve të tyre, nxënësve e studentëve me rezultate të larta, të rinjve në programe sociale ose zhvillimi dhe grupeve me mundësi të kufizuara ekonomike.

“Kjo nismë synon të mbështesë aksesin në aktivitete kulturore dhe artistike për grupe që, për shkak të kushteve ekonomike ose sociale, kanë më pak mundësi për të marrë pjesë në ngjarje të tilla, si edhe të vlerësojë angazhimin dhe arritjet e të rinjve,” tha Ministria e Arsimit.

‘Ai është nje neonazi’

kanye west
Kanye West. Foto: rodrigoferrari, CC BY-SA 2.0, via Wikimedia Commons

 Edhe pse Qeveria shqiptare e kishte konsideruar si një event privat dhe kishte deklaruar se nuk do të jepte asnjë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, ajo vendosi krejt papritur më 6 korrik që të përdorë fondin e emergjencave për akorduar 400 milionë lekë për organizatorët e tij për të kompensuar humbjet nga mosshitja e biletave.

I justifikuar si një vendim për të mos rrezikuar anulimin e koncertit, vetë Kryeministri Rama tha të mërkurën se vendimi u mor “për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat”. Ashtu si Ministria e Arsimit edhe Këshilli i Ministrave pranoi se pjesëmarrja falas në koncert e nxënësve dhe grupimeve të tjera është pjesë e një angazhimi ndërinstitucional dhe se po mundësohet falë kësaj mbështetje financiare nga buxheti i shtetit.

“Qeveria e konsideron një event të rëndesishëm për turizmin dhe për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, në këto kushte kur janë shitur gjysmat e biletave me blerës nga gjithë bota, nuk mund të rrezikojmë anullimin dhe në një moment të fundit është dashur impenjimi edhe i qeverisë për t’a bërë të mundur realizimin e eventit”, tha për BIRN zyra për mediat e kryeministrit Edi Rama. Prej muajsh institucionet shqiptare dhe krerët e tyre janë angazhuar në promovimin e këtij koncerti duke bërë thirrje në rrjetet e tyre sociale për blerje biletash.

Artisti amerikan Kanye West I njohur dhe si ‘YE’, shihet si një figurë tejet kontraverse në arenën ndërkombëtare dhe disa prej koncerteve të tij në Europë janë anuluar pas bojkotit të gjërë dhe kritikave që lidhen me deklarata publike me përmbajtje antisemite, përdorimin e simboleve naziste dhe përdorim të gjuhës së urrejtjes.

Disa nxënës maturantë të gjimnazve në Tiranë, të cilëve BIRN vendosi t’u ruajë anonimatin, pranuan se nuk do të merrnin pjesë në këtë event pavarësisht se mund të siguronin lehtësisht një ftesë falas për shkak të qëndrimeve publike që ky artist ka mbajtur. “Ai është nje neonazi, a e di këtë?” u përgjigj një nxënës, kur u pyet nës do ta ndiqte koncertin e West.

Një mësuese e shkollës Petro Nini Luarasi, e cila foli për nën kushtet e anomimatit tha se e shihte me shqetësim pjesëmarrjen e nxënëse në një event të tillë, ndërsa shtoi se ajo vetë “do të këshillonte nxënësit vetëm për evente që lidhen direkt me shkollën”.

West i ka mohuar kritikat se është antisemit, ndërsa ka kërkuar falje për deklaratat e tij të mëparshme antisemite. Në një letër të hapur të publikuar në janar 2026, reperi deklaroi se nuk ishte “nazist apo antisemit” dhe se i donte hebrenjtë, duke u shprehur njëkohësisht “thellësisht i turpëruar” për veprimet e tij dhe duke marrë përgjegjësi për gjuhën fyese të përdorur në të kaluarën.

Koncert privat, organizim shtetëror

eagel stadium
Eagle Stadium po ndërtohet në periferi të Tiranës, për koncertin e Kanye West | Foto: Xhemali Moku/BIRN

Për aktivistë të shoqërisë civile që punojnë për përmirësimin e arsimit, angazhimi i shkollave në shpërndarjen e biletave për një koncert privat përbën një keqpërdorim të sistemit arsimor dhe të burimeve publike.

Kolindo Verdha, nga organizata Qëndresa Qytetare, e cilësoi problematik si financimin e koncertit me 4 milionë euro nga Fondi i Emergjencave, ashtu edhe përfshirjen e institucioneve publike për të rritur pjesëmarrjen në aktivitet.

“Edhe më shqetësuese është se qeveria po përdor institucionet publike për të promovuar një aktivitet privat me qëllim fitimi, duke shpërndarë bileta përmes shkollave,” tha Verdha për BIRN.

Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës nuk duhet të funksionojnë si “agjenci koncertesh”, ndërsa mësuesit nuk mund të shndërrohen në instrumente marketingu për organizatorët privatë. Verdha argumentoi se rasti tregon se fondet publike mobilizohen shpejt kur ka vullnet politik, ndërkohë që arsimi vazhdon të përballet me mungesa infrastrukturore, klasa kolektive, braktisje shkollore dhe mbështetje të pamjaftueshme për nxënësit me aftësi të kufizuara.

Në të njëjtën linjë, Ermelinda Hoxhaj nga Komuniteti i Prindërve për Arsim Cilësor e quajti të papranueshme përdorimin e shkollave për të mbushur stadiumin me nxënës, ndërsa ngriti shqetësime edhe për profilin publik të artistit Kanye West.

“Dërgimi i nxënësve në një event të tillë në formë detyruese është një keqpërdorim i sistemit arsimor si mjet për të mbushur stadiumin,” tha Hoxhaj.

Ajo tha se shumë prindër kanë shprehur rezerva si për deklaratat e diskutueshme të artistit, ashtu edhe për mundësinë që imazhi i fëmijëve të përdoret në një aktivitet që zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, mes protestave antiqeveritare.

Hoxhaj argumentoi se fondet publike do të kishin ndikim më të madh nëse do të investoheshin në psikologë dhe oficerë sigurie në shkolla, terrene sportive ose bursa për nxënësit me rezultate të larta.

“Nëse mbështet me bursa meritash nxënës të talentuar në shkencë, art apo sport, krijon një ndikim afatgjatë në zhvillimin e arsimit. Financimi i një koncerti ka efekt kalimtar dhe nuk sjell asnjë përfitim për sistemin arsimor,” tha ajo.

Një mësues shoqërues i nxënësve të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, nga ana tjetër, tha për BIRN se nuk shihte problem te figura e artistit apo muzika e tij, për sa kohë pjesëmarrja e nxënësve bëhej me miratimin e prindërve.

Edhe qeveria shqiptare ishte e pashqetësuar për kritikat ndaj YE, për aq kohë sa ai ka famë ndërkombëtare.

“Sepse ne nuk gjykojmë artistët, të gjithë kanë kontraversionet e tyre, për qeverinë Kanye West është një artist ndërkombëtar”, tha zyra për mediat e Kryeministrit./Reporter.al

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: