Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar pas episodeve të dhunës së raportuar gjatë protestës së sotme në Tiranë, duke akuzuar Policinë për përdorim të forcës ndaj qytetarëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikon pamje nga incidenti, Lapaj pretendon se efektivët e policisë kanë goditur në kokë një qytetar, i cili, sipas tij, kishte rënë pa ndjenja.

Kreu i “Shqipëria Bëhet” drejton gishtin nga kryeministri Edi Rama, të cilin e bën përgjegjës për atë që e cilëson dhunë ndaj protestuesve.

“Edi Rama, je përgjegjës në vetë të parë për dhunën barbare mbi qytetarët\!”, shkruan Lapaj.

Më tej, ai përdor tone të ashpra ndaj efektivëve të policisë, duke i akuzuar se janë persona të sjellë nga Fieri dhe duke i lidhur me ministren Belinda Balluku.

“Shikoni se si bandat e Belinda Ballukut të sjella nga Fieri janë veshur me uniformë dhe gjuajnë në kokë me kambale qytetarin i cili kishte rënë pa ndjenja”, deklaron Lapaj.

Në përfundim të reagimit, ai thekson se dhuna nuk do t’i nënshtrojë protestuesit.

“Nuk do na nënshtroni dot\! Me dhunë nuk do ia dilni dot”, përfundon kreu i “Shqipëria Bëhet”.

Pretendimet e Lapajt vijnë në një kohë kur gjatë protestës në Tiranë janë raportuar incidente mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa pamjet dhe dëshmitë e publikuara kanë nxitur reagime nga përfaqësues politikë dhe organizata të shoqërisë civile.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb