Nuk është arritur marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pas takimit të së shtunës mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

Pas takimit, Kurti deklaroi se ende nuk ka një emër konsensual për president dhe se shpreson që javën e ardhshme të ketë garë për këtë post.

“Kur nuk ka mundësi për marrëveshje politike për propozime konsensuale, atëherë do të ketë propozime partiake”, ka thënë Kurti, duke shtuar se “propozimet partiake do të merren vesh shpejt”.

Por çështjen e garës e ka përjashtuar kryetari i PDK-së. Hamza ka thënë se po të ketë garë “rezultati dihet”.

E Hamza bëri të ditur se i ka ofruar Kurtit një marrëveshje sipas së cilës presidenti do të zgjidhej nga një propozim i PDK-së, si përpjekje për të shmangur zgjedhjet dhe për të tejkaluar ngërçin politik.

“Sot, në takimin e dytë me Kurtin, PDK-ja ofroi edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet, duke propozuar zgjedhjen e një presidenti nga radhët tona, me qëllim garantimin e stabilitetit institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur”, deklaroi Hamza.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 4 mars për zgjedhjen e presidentit të ri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: