Kolegji Penal pritet të mblidhet javën e ardhshme, në lidhje me kërkesën e Kryeministrisë sa i përket çështjes “Balluku”. Gazetarja Klodiana Lala raporton se Kolegji vendos më 2 dhjetor, nëse kërkesa e qeverisë kalon ose jo për shqyrtim. Mësohet se relator është Sandër Beci, ndërsa në Kolegj në vend të Holta Zaçaj do të jetë Marsida Xhaferllari.
KËRKESA E KRYEMINISTRISË
Në kërkesën e dërguar në Kushtetuese për çështjen “Balluku”, Këshilli i Ministrave thotë se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetenca e 3 organeve të shtetit, Kryeministrit; Presidentit dhe Kuvendit.
Në dokumentin e siguruar nga News24 qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, duke pretenduar se se ky vendim prek interesa të lartë shtetërorë, shoqërorë, por edhe të vetë individëve.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.
Sipas qeverisë Belinda Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së qeverisë gëzon të drejtat si deputete. Gjykata e Posacme vendosi të pezullojë nga detyra e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe energjisë dhe i ndaloi të drejtën për të dalë jashtë vendit, pasi është e pandehur për tendering e tunelit të Llogorasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe.
Gjykata e Posaçme arsyetoi se Balluku ka rrezik të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, të kryejë vepra si ato që dyshohet se ka kryer apo dhe më të rënda, për shkak të detyrave që ushtron si dhe ekziston rreziku të arratiset jashtë vendit. Krahas saj në arrest shtëpie u dërguan vartësit e saj Gentian Gjyli e Erald Elezi.
NJOFTIMI PËR SHTYP
Gjykata, nisur nga interesi mediatik për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, bën me dije si vijon: Në datën 21.11.2025, në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur kërkesa me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.
Kjo çështje për shkak të interesit publik që paraqet është konsideruar nga Gjykata për t’u shqyrtuar me përparësi, sipas praktikës së ndjekur në raste të ngjashme. Kërkesa është regjistruar me numër 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar në datën 21.11.2025, ora 14.00. Me shortin e po kësaj date, ora 15.00, për shqyrtimin paraprak të kësaj çështjeje është caktuar Kolegji me përbërje gjyqtarët: Holta Zaçaj, kryetare dhe anëtarë Sonila Bejtja dhe Sandër Beci (relator). Paralelisht me këto veprime, Njësia e Shërbimit Ligjor u ngarkua me përgatitjen e akteve paraprake për shqyrtimin e çështjes dhe i ka shpërndarë ato për njohje anëtarëve të kolegjit, i cili kishte planifikuar për të diskutuar këtë çështje në datën 27.11.2025.
Në datën 25.11.2025, ora 10.00, Presidenti i Republikës ka organizuar ceremoninë e betimit të gjyqtarit Asim Vokshi, i cili ka zëvendësuar gjyqtaren Holta Zaçaj që ka përfunduar mandatin e saj. Në këto kushte, në datën 25.11.2025, Kolegji i caktuar për shqyrtimin e çështjes mbeti i paplotë në përbërje të tij. Të nesërmen, më 26.11.2025, ora 11.00, Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur plotësimin e kolegjit me gjyqtaren Marsida Xhaferllari. Kolegji u mblodh ditën e sotme sipas planifikimit. Me kërkesë të gjyqtares Marsida Xhaferllari, e cila kishte marrë njoftim për aktet pasditen e datës 26.11.2025 dhe në përputhje me nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, i cili parashikon se gjyqtarët duhet të kenë në dispozicion kërkesën dhe aktet e kërkesës të paktën dy ditë përpara mbledhjes së Kolegjit, u caktua që shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji ditën e parë të punës, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 02.12.2025.
Vendimmarrja e Kolegjit do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
