Vetting
SPAK duhet të kishte hetuar buxhetin e shtetit 2021
Në emisionin e sotëm, “Vetting” do të ndërthurë elementët e rinj të dosjes së prokurorisë me denoncimin e hershëm, duke nxjerrë për herë të parë një element që është anashkaluar gjithmonë nga SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shkeljet me buxhetin e shtetit.
Indiciet e para për aferën me projektin 200 milionë euro të tunelit të Llogarasë do të vinin nga ish-drejtori i prokurimeve te Kontrolli i Lartë i Shtetit, Azmi Stringa me një postim në rrjetet sociale për miratimin e buxhetit 2021.
“Duhet të kuptojmë që ligji nuk lejon marrjen e angazhimeve buxhetore përtej fondeve të miratuara. Pra, pa patur fondet e miratuara dhe të çelura me buxhet, s’fillon dot prokurim. Pra dhe fondi limit me TVSH nuk duhet ta kalojë vlerën e buxhetuar. Në të kundërt është përgjegjës për shlyerjen e detyrimit financiar që lind nga angazhimi vetë titullari, dhe jo taksapaguesit”, do të shkruante nga platforma sociale Meta eksperti Stringa në dhjetor 2020.
Por ish-drejtori në KLSH do të zbulonte një detaj shumë të rëndësishëm me anë të numrave, të cilat fjalët nuk mund të manipulohen me fjalë.
“Tani sipas njoftimit te tenderit te dates 14.12.2020, fondi limit per kete projekt eshte 19.1 miliardë lekë pa tvsh (ose 22.9 mld leke me tvsh). Ndërsa në listën e investimeve që shoqëron projekt buxhetin e vitit 2021, vlera me tvsh e projektit është 18.75 miliardë lekë. Pra, 4.15 miliardë lekë ose rreth 40 milionë dollarë më shumeë se vlera e buxhetuar e projektit”, do të zbulonte eksperti i ekonomisë Stringa nga platforma sociale.
Në vazhdim të statusit të publikuar në dhjetor 2020, eksperti Stringa do të ngrinte pyetje se ku ka qenë shkelja në këtë rast, a është shpallur procedura në thyerje të ligjit apo buxheti është hartuar në kundërshtim me ligjin?
Në fakt, alarmi i ngritur nga një ish zyrtar i administratës publike për shkelje të mundshme me buxhetin e shtetit do të konfirmoheshin nga “Vetting” në episodin e prillit 2024. Në dokumentar do të ekspozohej fakti se me firmën e zv.kryeministres Balluku do të transferoheshin dhjetra miliona euro fondesh për projektet infrastrukturore më të shtrenjta në Europë, në vendin më të varfër të kontinentit. Shkeljet ligjore me buxhetin e shtetit evidentohen nga raporti zyrtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit i kryer në Ministrinë e Financave.
Konkretisht më datat 1 dhjetor 2022, me anë aktit normative nr.17, në mënyrë të paprecedentë, në cilësinë e zv. kryeministres Belinda Balluku do të miratonte ndryshimet në buxhetin e shtetit për t’i shtuar 5 miliardë lekë ose 50 milionë euro te portofoli i ministrisë që drejtonte vet.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është konstatuar se miratimi i akteve normative është bërë në tejkalim afati dhe pa analiza të detajuara nga Ministria e Financave, por që përgjegjësitë në këtë rast bien edhe mbi zv.kryeministren Balluku.
Aq më tepër, kur këto 50 milionë euro janë transferuar te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për projekte si Rruga e Arbrit dhe Tuneli i Llogarasë, të dyja projekte të kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Por çfarë thotë Kushtetuta për aktet normative?
Sipas neni 101 të Kushtetutës së Shqipërisë “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme.”
Pra, aktet normative përfshijnë nevoje emergjence si pandemia, kriza energjitike apo fatkeqësitë natyrore. Në prill 2022, Shqipëria hoqi zyrtarisht masat anti covid 2019, ndërkohë që shtesat te portofoli i Ministrisë së Infrastrukturës për projektet e rrugëve ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si po përdoret akti normativ.
Disa nga projektet që janë prekur dhe favorizuar nga këto ndryshime lidhen me kompaninë “Gjoka Konstruksion”, me rastin e tunelit të Llogarasë.
Nga audituesit janë konstatuar të paktën 20 raste me vlerë rreth 2.7 miliardë lekë të regjistrimit dhe pagesave pjesore të faturave, të cilat janë më të vogla se sa vlera e deklaruar. Sipas KLSH-së, kjo metodë pagesash paraqet vështirësi në identifikimin e vlerës reale të kërkuar dhe këto përbëjnë veprime, të cilat nuk japin siguri për vlerën reale të shpenzimeve apo investimeve të raportuara.
Sipas auditit, këto praktika janë në kundërshtim me ligjin nr. 9936 datë 26.6.2008 “Mbi zbatimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku njohja e shpenzimit bëhet në çastin e konstatimit dhe pagesa e tij bëhet brenda 30 ditëve.
Në raport zbulohet se një nga pagesat që është bërë në mënyrë pjesore në kundërshtim me ligjin lidhet me transfertat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
