Policia e Shtetit i ka konfirmuar SPAK se nuk ka asnjë mundësi që të gjejë dhe arrestojë brenda vendit ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie.

Sipas verifikimeve të kryera nga policia, ish-ministri që dyshohet se ka përfituar para dhe prona nga bosët e inceneratorëve Mirel Mertiri dhe Klodian Zoto, ndodhet jashtë vendit, referuar sistemit TIMS.

Pasi ka marrë konfirmim në rrugë zyrtare, përmes një shkrese, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Interpolit për të shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-zv. Kryeministrin. Kjo do të thotë se në momentin që emri i Ahmetaj do të shfaqet në sistem me kartelë të kuqe, nëse autoritetet e çdo vendi e gjejnë mund ta arrestojnë atë për llogari të drejtësisë shqiptare.

Për Arben Ahmetaj, gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg, sapo Kuvendi i dha SPAK autorizimin për arrestimin, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së tij. Përgjatë ditëve të fundit, është lejuar kontrolli në banesat e Ahmetajt dhe familjarëve të tij të cilëve iu janë sekuestruar celularët apo pajisje të tjera elektronike që mendohet se mund ti shërbejnë hetimit.

Po ndërsa hetimi për Ahmetaj vijon, nga ana tjetër gjykata caktoi në muajin shtator seancën gjyqësore për 15 të pandehurit e akuzuar për aferën e inceneratorit të Fierit. Kjo sepse avokatët e ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka thanë se nuk janë përgatitur për mbrojtjen, pasi duhet më parë t’iu vihen në dispozicion të gjitha fashikujt e plotë të dosjes, pasi deri më tani kanë marrë vetëm 100 prej tyre.

Ndërsa, avokati i Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve në kërkim u shpreh se do të paraqesë argumentet e mbrojtjes, pasi të dëgjojë avokatët e ish ministrit. Për shkak se gushti është pushim zyrtar për gjyqtarët e prokurorët, u vendos që procesi të shtyhej për në shtator.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: