Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me çështjen e ish-agjentit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, dhe lidhjen e tij me kryeministrin Rama.

Murati deklaroi se kjo është një dosje shumë e rëndësishme dhe jo një “Big Brother i foltores”, siç e ka cilësuar kryeministri Rama. Sipas tij McGonigal ka dy akuza, një prej tyre nga Prokuroria e Uashingtonit e cila është vetëm për marrëdhëniet e tij me Shqipërinë dhe takimet e fshehta me Ramën.

Ai shtoi më tej se deri më tani ka një mungesë të theksuar të transparencës nga Rama, i cili me veprimet e tij ka tentuar të nxjerrë alibi dhe të zbusë akuzat ndaj McGonigal, gjë që sipas Muratit tregon se diçka po fshihet.

“Kanë mbetur më pak se 4 muaj nga zgjedhjet, mund të presim një rritje ose vazhdimësi të tensioneve politike. Ajo që ndodhi sot lidhet me skandalin e zbulimit të korrupsionit të ish-agjentit të FBI-së dhe njohja e tij me Ramën. Nuk është Big Brother i foltores siç e tha kryeministri, për të kanë gjithë mediat kryesore amerikane e botërore. Është diçka serioze.

Nëse futemi në Facebook-un e Ramës postimi i fundit është një takim i Ballukut me punëtorët e ujësjellësit në Belsh. Një parti që propagandon çdo gjë sado e vogël, lind pyetja se si 4 takime me drejtorin e FBI-së nuk i ka publikuar kryeministri? Dukshëm sepse kemi me një histori të trafikut të influencës, janë bërë takime private dhe jo nën petkun e kryeministrit të Shqipërisë, arsyet duhet t’i sqarojë vetë ai. Ish-agjenti ka 2 akuza të mëdha, nga prokuroria e Uashingtonit është vetëm për marrëdhëniet me Shqipërinë, për takimet me Ramën dhe 225 mijë dollarët që ka marrë. Në rastin më të mirë, Rama do bënte mirë të jepte shpjegime para opinionit publik pse i ka bërë takimet. Nga dosja amerikane kemi mësuar se zyrtarit të FBI-së i janë dhënë 225 mijë dollarë dhe është nxitur të hapë një hetim për lobistin e PD-së. Edhe sikur konspiracioni të mos jetë i vërtetë, thuhet qartë që materialet janë dhënë nga stafi i Ramës. Lind pyetja se pse kryeministri angazhohet në një betejë të tillë me kundërshtarin politik, mund ta bënte stafi i PS-së por jo i kryeministrit.

Ajo që unë shoh deri tani është se nuk kemi transparencë, Rama nuk ka thënë se ka marrë pjesë edhe një këshilltar i tij në këto takime. Këtu dukshëm po fshihet diçka. Rama dje tentoi të ngrinte një alibi për 225 mijë dollarët që ka marrë McGonigal, duke thënë se kanë qenë borxh. Fakti që Rama nxiton për të ngritur alibi tregon se këtu ka diçka. Mua më bëri përshtypje se dje Rama deklaroi se zyrtari  iFBI-së akuzohet për konflikt interesi, ai tentoi të minimizojë akuzën e tij, ndërsa ai akuzohet për shumë më tepër se kaq dhe shumë të rënda. Nëse do zbardhen arsyet e 4 takimeve të Ramës me McGonigal mund të ketë rast për ngritje të akuzave konkrete. Dimë që ai ka marrë para nga miku i përbashkët i të dyve dhe ka nxitur departamentin e drejtësisë të hetojë për lobistin e PD-së. Në rastin më të mirë kemi trafik influence.

I pari vetë duhet të flasë Rama e të bëjë transparencë, e ka detyrim karshi publikut. Nëse ka arsye për protesta në vend, besoj se është luks për opozitën të flasë për revolucion 3 muaj para zgjedhjeve. Ne kemi parë se më parë ka dështuar dhe PS shkon e qetë në zgjedhje, protestat mund të jenë të mirëpritura sepse mbajnë të gjallë nervin e opozitës, por nga ana tjetër besoj se opozita duhet të fokusohet te oferta e saj. Unë nuk besoj dhe besoj se është një gjuhë disfatiste e Berishës duke thënë që me Ramën nuk fitohet me votë. Opozita duhet të kërkojë një interpelancë dhe një komision hetimor për këtë aferë. Nëse do hasi në rezistencën e maxhorancës për të kryer këto etapa mund të fillojnë të flasin për revolucion.

Për sa kohë Rama refuzon të bëjë transparencë për natyrën e takimeve të tij me McGonigal, ai mund të thotë që tentativa për korruptim është bërë pa dijeni ndoshta por ai ka mbajtur një qëndrim hermetik. Institucionet e pavarura duhet të veprojnë nëse Rama nuk reagon, për të parë nëse ka prova për kryeministrin Rama, emri i të cilit përmendet rreth 17 herë në dosje. Prokuroria mund të kërkojë informacion nga homologët përtej Atlantikut”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: