Afganistani dhe Pakistani nisin sot bisedime paqësore në Doha, në një përpjekje për t’i dhënë fund përplasjeve ndërkufitare që kanë marrë jetën e dhjetëra njerëzve.

“Sikurse u zotuam, negociatat me palën pakistaneze do të zhvillohen sot në Doha,” tha zëdhënësi i qeverisë së talebanëve në Afganistan, Zabiullah Mujahid.

Një delegacion i lartë nga Afganistani, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i talebanëve, Mullah Muhammad Yakub, ka nisur drejt Doha-s.

Pas ndërprerjes së armëpushimit, zyrtarë nga të dyja vendet po udhëtojnë sot drejt Katarit për negociata, me shpresën për t’i dhënë fund përplasjeve ndërkufitare që kanë marrë jetën e dhjetëra njerëzve.

Gjatë shpalljes së armëpushimit të mërkurën në Islamabad u tha se do të zgjasë 48 orë, por Afganistani vlerësoi se do të jetë në fuqi deri në një shkelje nga pala kundërshtare.

Ditën e djeshme në mbrëmje, Kabuli akuzoi Pakistanin fqinj se ka thyer armëpushimin, pas sulmeve që shkaktuan vdekjen e të paktën 10 civilëve në provincën Paktiqa në Afganistanin lindor. Burime pakistaneze të sigurisë konfirmuan “sulme ajrore precize në territorin afgan.”

Sot në mëngjes, të dyja palët njoftuan se po dërgojnë delegacione në Katar për bisedime.

Sipas burimeve, Pakistani do të përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes Khawaja Asif dhe kreu i shërbimeve të inteligjencës, gjenerali në detyrë Asim Malik, sipas televizionit shtetëror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb