Dinamo ka qenë aktive në meriton e verës, ku, përveç ruajtjes së grupit që përballoi me sukses sezonin e fundit, ka kryer edhe katër përforcime.
Mbrojtja dhe sulmi janë repartet që janë përforcuar deri tani. Dinamovitët kanë përforcuar dy krahët e mbrojtjes, ku kanë afruar Ysni Ismailin nga Vora dhe Faton Neziri i ardhur nga Dukagjini i Kosovës. Ndërsa përforcimet në sulm janë Florenc Farruku, i ardhur nga Burreli, si dhe 19-vjeçari i Dukagjinit, Hekuran Berisha, kartoni i të cilit u ble nga Dinamo për 150 mijë euro.
Merkato mbetet e hapur në kampin dinamovit, ku për momentin po insistohet në afrimin e një qendërmbrojtësi. Klubi po operon si në tregun vendës, por edhe të huaj për të gjetur lojtarin që përmbush kriteret e trajnerit Ilir Daja.
Klaus Gjasula konsiderohet përforcim në mesfushë, por ish-lojtari i Kombëtares duhet të zgjidhë kontratën që ka me gjermanët e klubit të Esen. 35-vjeçari ka kontratë me gjermanët edhe për sezonin e ri, ndonëse flitet se ai ka gjetur akordin me dinamovitët për dy sezonet në vijim, 2025-2027.
