Nga IV KALOÇI
“As telegrami i shokut Haxhi Lleshi për festën kombëtare të Kilit s’u publikua në asnjë prej gazetave në Kili. Emri i Shqipërisë është përmendur vetëm disa herë…”. Sot ekskluzivisht “Gazeta Shqiptare”, për herë të parë po publikojmë të plotë dy relacione sekrete të Komitetit Qendror të PPSH-së, të muajve mars dhe korrik të vitit 1973. I pari i përket përgjegjësit të Sektorit të Jashtëm të KQ të PPSH-së, Pirro Bita dhe bën fjalë mbi gjendjen politiko-ekonomike e sociale në Kilin e viteve ’70-të dhe marrëdhëniet e tij me Shqipërinë, ndërsa i dyti i përpiluar nga vetë pasuesi i tij, po përgjegjës i Sektorit të Jashtëm pranë KQ të PPSH-së, Agim Popa (i njohur ndryshe edhe si përkthyesi i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë), drejtuar ambasadës shqiptare në Santiago të Kilit dhe veçanërisht ambasadorit të sapodërguar asokohe në këtë vend, Përparim Spahiut. Në relacionin e dytë drejtuar ambasadës sonë në kryeqytetin e Kilit, Santiago, Agim Popa shpjegon qartë të gjithë procedurën protokollare që duhet të ndiqte stafi i ambasadës dhe gjithashtu, jep këshilla dhe direktiva të qarta lidhur me qëndrimin zyrtar të politikës së jashtme të Tiranës komuniste në lidhje me përkrahjen ideologjike ndaj koalicionit të majtë qeverisës në Kili, të quajtur Uniteti Popullor që udhëhiqej nga presidenti Salvador Allende.
Kili i fillimit të viteve ’70-të do të karakterizohej nga një paqëndrueshmëri e thellë politiko-ekonomike dhe sociale e shkaktuar nga reformat tejet radikale të menjëhershme të presidentit Salvador Allende dhe qeverisë së tij, ndaj sektorëve kryesorë të kësaj ekonomie, industrisë energjetike dhe asaj minerare, të shfrytëzuar prej vitesh nga firmat koncesionare amerikane. Këto reforma të nxituara do të shprehnin një pakënaqësi nga pjesa e moderuar e koalicionit të majtë, çka do të provokonte një krizë të thellë qeveritare në muajt në vazhdim. Pikërisht këtu zënë fill edhe këto dy relacione sekrete të përpiluara në formën e kabllogrameve e para drejtuar KQ të PPSH-së, ndërsa e dyta vetë ambasadës shqiptare në Santiago. Përçarja e thellë e koalicionit të majtë qeveritar të Allendes do të alarmonte organizmat e orientimit të politikës së jashtme zyrtare shqiptare në Komitetit Qendror, deri aty, aq sa Agim Popa do të detyrohej të jepte udhëzime të prera për një qëndrim indiferent dhe jo shumë bashkëpunues të personelit të ambasadës shqiptare me forcat e koalicionit qeveritar dhe me partitë e tjera të majta në vendin e largët amerikano-jugor.
Dhe kjo, pasi Tirana zyrtare jo vetëm që e ndjente indiferentizmit e komunistëve kilianë për zhvillimin e një marrëdhënieje tejet miqësore me ta, por do të ishte “plotësisht e aftë të parashikonte” edhe shkatërrimin e shpejtë të qeverisë së majtë hibride të Salvador Allendes. Dhe në të vërtetë eksperimenti i majtë social në Kili do të përfundonte në mënyrë tragjike në 11 shtator të vitit 1973, kur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë kiliane, gjenerali Augusto Ugarte Pinochet, së bashku me forcat e këmbësorisë, marinës, aviacionit, policisë dhe shërbimit sekret DINA (me përkrahjen e heshtur të CIA-s dhe Pentagon-it) do të kryente një grusht shteti të tmerrshëm, duke sulmuar Pallatin Presidencial, La Moneda. Sulm në të cilin vetë presidenti Allende do të luftonte deri në vdekje. Junta ushtarake e djathtë e Gjeneralit Pinochet do ta drejtonte Kilin me dorë të hekurt për 17 vjet deri në largimin e tij në 1990. Të vetmet përfaqësi diplomatike të shteteve komuniste të vendosura në Santiago, Bashkimit Sovjetik, Kubës dhe Shqipërisë do të evakuoheshin në mënyrë të menjëhershme disa orë më pas.
Raporti i Pirro Bitës:
Aprovoj 3. V. 1973
DISA PROBLEME MBI PUNËN TONË NË KILI DHE NË AMERIKËN LATINE
Periudha e deritanishme është për ne një kohë e nevojshme për të njohur gjendjen. Kjo fazë nuk mund të konsiderohet aspak e përfunduar, sepse nga një anë koha për këtë është mjaft e shkurtër dhe eksperienca jonë e pamjaftueshme e nga ana tjetër angazhimi i domosdoshëm i shokëve që të gjejnë shtëpi dhe të merren kryesisht me probleme teknike, si dhe sëmundja e titullarit gati që nga fillimi kanë penguar, ose bërë të pamundur që të arrihen më shumë rezultate. Njohja e gjendjes në Kili dhe Amerikën Latine (sidomos në disa vende), si dhe shqyrtimi i mundësive se deri në ç’shkallë e në ç’mënyrë mund të përdoret Kili si pikëmbështetje për punën tonë (shtetërore dhe të partisë), në këtë kontinent, mbetet akoma për një kohë relativisht të gjatë problemi kryesor i ambasadës. Megjithatë, disa gjëra që kemi vënë re deri tani e që mund dhe duhet të studiohen më thellë janë: Për marrëdhëniet e vendit tonë me Kilin. Ashtu siç ishte parashikuar që para se të vinte në Santiago ambasada jonë, këto marrëdhënie nuk kanë perspektivë për ndonjë zhvillim të madh.
Nuk është largësia gjeografike, faktori kryesor. Shumë më e madhe se kjo është largësia e rrugëve, e politikës, jo vetëm të brendshme, por edhe e jashtme, që ndjekin të dy vendet tona. Qeveria e tanishme udhëhiqet nga komunistët dhe socialistët. Partitë e tjera janë vetëm grupe të vogla politike, por në më të shumtën e rasteve, fraksione të dy të parave. Ato kanë disa kontradikta me Partitë e tjera, por janë në harmoni të plotë për çështjet thelbësore ideologjike dhe për politikën e brendshme e të jashtme. Të gjitha Partitë qeveritare kanë si vijë të tyre të përbashkët “rrugën paqësore të revolucionit”. Këtë “teori” ato mundohen ta justifikojnë me të gjitha mënyrat, mund të thuhet se janë në garë me njëra-tjetrën, për ta argumentuar. Dhe kryesore sipas tyre janë traditat e larta, të lashta të zhvillimit demokratik e paqësor të Kilit, nevoja e “pluralitetit” (ekzistenca e të gjitha partive politike pa përjashtim) dhe e kalimit në socializëm në kushtet e “pluralitetit”, jo vetëm si veçori e Kilit, por si shembull unik, i denjë për studim dhe zbatim edhe në vende të tjera në kushtet e epokës sonë, hedhja poshtë e çdo ideje dhe e çdo propaganda për përdorimin e dhunës revolucionare: Flitet për marksizmin nga socialistët, por jo për dhunën revolucionare (ata nuk flasin për leninizmin, ose flasin kur duhet ta përmendin këtë për ndjenja përfitimi tjetër).
Relacioni i Pirro Bitës: “Socializmi i Allende është utopik dhe bajat”
Presidenti Allende thotë se nuk ka më të tmerrshme se përdorimi i forcës nga cilido dhe për çdo rast, nuk ka më të mirë se demokracia për të gjithë dhe në çdo rast. Pra, asgjë të re përveç argumenteve bajate të oportunizmit klasik të revizionizmit modern. Aq bajat, sa edhe sovjetikët ruhen shumë të flasin për socializmin në Kili. Kaq shumë është rrënjosur këtu ideja “rrugës paqësore” e “kalimit paqësor në socializëm”, saqë jo vetëm jeta e brendshme politike, por edhe ajo ndërkombëtare shikohet dhe propagandohet vetëm në këtë prizëm. Jehonë të madhe gjen në çdo bisedë “për zgjidhjet paqësore”, që bëhet në botë, qoftë për Vietnamin, qoftë për Lindjen e Mesme, qoftë për Gjermaninë, për gjithçka. Disa herë jepen lajme nga më të avancuarat saqë zgjidhja e konflikteve të ndryshme aktuale në këtë rrugë paraqitet si fakt i kryer. Udhëheqësit aktualë të Kilit përpiqen të bëhen miq me të gjithë. Allende po shkon tani në OKB, jo aq më shumë për të demaskuar “agresionin amerikan” mbi Kilin, (me dhjetëra herë çdo ditë thuhet se vetëm Vietnami dhe Kili po pësojnë agresion amerikan), se sa për të gjetur rrugë të tjera që të bjerë në ujdi me përfaqësues të Departamentit të Shtetit.
Jo rastësisht Shqipëria, vija e saj politike injorohet deri në atë shkallë, saqë as telegrami i shokut Haxhi Lleshi për festën kombëtare të Kilit nuk publikohet në asnjë prej dhjetërave gazetave që botohen në Kili. Gjatë gjithë kohës që jemi ne, emri i Shqipërisë është përmendur vetëm disa herë nga shtypi i partive në fuqi, (kur ambasadori dorëzoi letër-kredencialet, që Shqipëria kundërshton “Sigurimin Evropian”, voton kundër “Çarmatimit në OKB”, kundër propozimit të Kili të, Perusë, Ekuadorit, lidhur me ndalimin e provave bërthamore. Vetëm tre nga më se 50 gazetat e revistat e vendit shkruajnë artikuj për festat e 28 dhe 29 Nëntorit. Shpesh ndaj ambasadës ne kemi vënë re një qëndrim formal, për të mos thënë të ftohtë. Në vesh dhe vetëm për vetëm disa nga ish-ministrat kanë folur mjaft mirë, por në shtypin që kanë ata nuk shkruhet asgjë. Të tjerë personalitete ose i shtyjnë disa herë datat e takimeve, ose nuk na kthejnë përgjigje fare. Kur u formua qeveria e re e tanishme, në pamundësi që ambasadori t’u bënte një vizitë ministrave të rinj, u dërgoi atyre nga një letër urimi. Deri sa ika, që madje, m’u përgjigjën vetëm tre nga ministrat (gjenerali Prat, ai i Tregtisë dhe ai i Arsimit) Natyrisht, ne duhet të shohim akoma më tej se si do të zhvillohet gjendja. E themi këtë për disa arsye.
a) Një përkrahje e hapur politike shqiptare nga ndonjë personalitet, ose person që simpatizon Shqipërinë, ka rrezik të shkaktojë një reaksionin të menjëhershëm nga “paqësorët” “elastikët”, “pluralistët” që nuk mund ta arrinin këtë, më të mirët do ta quanin atë taktikisht të gabuar ose të papërshtatshëm për “kushtet e veçanta të Kilit”, për “rrugën specifike kiliane” etj.
b) Është një fakt se politika e Shqipërisë nuk njihet jo nga të gjithë njerëzit e politikës, por edhe nga ata pak që deklarojnë se e njohin, u pëlqen, e çmojnë atë. Në përgjithësi ekziston mendimi se Shqipëria ndjek një politikë “të ashpër”, që nuk u përkulet të mëdhenjve, përse kjo, në cilat çështje, cila është rruga që ndjek, lufton e fiton ajo, kjo është e panjohur?! Ne nga ana jonë qoftë si ambasadë, qoftë si shtet, nuk kemi bërë asnjë hap për të konkretizuar në ndonjë drejtim marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kilit. Siç dihet, ambasadori erdhi, por ai ishte në të gjitha drejtimet me duar bosh, bile dhe pa asnjë libër a revistë. Kurse pala kiliane ka dorëzuar që në Maj projektin e saj mbi një marrëveshje tregtare, dmth., që tre muaj më parë se të vinte ambasadori shqiptar në Santiago. Diçka mund dhe duhet të ishte bërë qoftë dhe në fushën e marrëdhënieve kulturale, të paktën kështu biseduam dhe ramë dakord që në Tiranë. Ka edhe fusha të tjera, ku mund të bënim ndonjë propozim, qoftë formal, por që të kishte një farë rëndësie politike. Nga ana tjetër duhej justifikuar hapja e përfaqësisë shqiptare në Santiago. Pa asnjë aktivitet të kësaj natyre gjatë pesë muajve, mund të lindi fare lehtë edhe pyetja pse kanë ardhur shqiptarët në Kili?!
Pirro Bita
………………….
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
Tiranë, korrik 1973
KOMITETI QENDROR I PPSH
– Sektori i Jashtëm –
AMBASADES SE R.P. TE SHQIPERISE, SANTIAGO
Ka tashmë një vit që ka filluar nga puna ambasada jonë në Kili. Megjithëse disa vështirësi, siç janë veprimtaria në një vend të panjohur më parë, lidhjet akoma jo të shpejta me qendrën, mungesa e gjatë e titullarit etj., etj., shokët tashmë kanë fituar mjaft përvojë dhe puna për të ardhmen ka për të qenë e organizuar. Me qëllim ndihme po ju shkruaj për disa probleme, shumë nga të cilat nuk janë të reja për ju, por dëshirojmë që t’i përcaktojmë më mirë.
1). Siç dihet, një nga detyrat që i vumë ambasadës në fillim ishte njohja e gjendjes së lëvizjes marksiste-leniniste, në Kili dhe në vende të tjera të Amerikës Latine. Ka mundësi që ju tashmë të keni të dhëna interesante, të cilat nuk na i keni nisur për mungesë korrierësh. Por me anë të radiogrameve mund të dërgoni më shumë. Theksojmë se udhëzimi i dhënë në fillim, sipas të cilit ne nuk mund të rendim pas përfaqësuesve të Partive të ndryshme m-l, qëndron në fuqi. Por, ata kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë vetë. Prandaj duhet të mbajmë parasysh:
a) Të mos na gjejnë asnjëherë të papërgatitur, për atë çka duhet t’u vëmë në dukje shkurtimisht nga eksperienca e Partisë sonë. Zgjedhja e problemit që do të bisedojmë me secilin, studimi i thellë i literaturës përkatëse të Partisë, konsultimi për këtë problem me shokët e tjerë të përfaqësisë dhe përpunimi i mirë i taktit se si dhe sa do të flitet për këtë problem secilit, ka rëndësi shumë të madhe:
b) Nuk jemi të detyruar t’i përgjigjemi aty për aty çdo problemi që ngrenë dhe çdo propozimi që bëjnë përfaqësuesit e partive të ndryshme m-l. Nuk është aspak turp t’u thuhet “po mbaj shënim”, “do të konsultohem me shokët”, “do ta studioj edhe unë këtë çështje”, “do të njoftoj qendrën”, etj. Dhe vërtet, pas konsultimit me shokët, pas studimit të problemit, etj., atëherë t’u jepet përgjigjja e nevojshme, aq sa duhet dhe në kohën kur duhet, pa fjalë të tepërta, e pa argumente të gjata.
Relacioni sekret i Agim Popës: Të mos u besojmë shumë kilianëve.
c) Me asnjeri, cilido qoftë, të mos krijojmë një miqësi tepër intime. Të jemi korrektë dhe të përzemërt, nuk do të thotë të flasim me ta për çdo gjë. Asnjë i huaj nuk duhet të dijë për veprimtarinë tonë në këtë apo atë fushë, çdo plan qëndrimi tonin, çdo problem zyrtar, personal apo familjar që na shqetëson neve. Në bisedimet me ta, në muhabete dhe shakatë e rastit duhet të kemi ndjenjën e masës, të kemi të qartë kufirin midis asaj që duhet thënë dhe asaj që nuk duhet thënë. Kjo fitohet nëpërmjet eksperiencës, përpjekjes për ngritjen politike dhe kalitjen e vigjilencës. Ne theksojmë këtë detyrë duke pasur parasysh tipin e shumë amerikano-latinëve, që ashtu siç flasin vetë për shumë gjëra, ashtu kërkojë t’u flitet edhe nga partneri i vet në bisedim.
c) Të mbajmë shënim në prezencë të tyre çdo problem që na ngenë. Të mos i besojmë kujtesës. Prandaj është e nevojshme që të shkruhen çështjet ashtu siç i thonë ata vetë dhe jo si kujtojnë më vonë. Mbajtja e shënimeve është një shenjë serioziteti në punën tonë: ajo e rrit prestigjin e nëpunësve të ambasadës dhe jo në të kundërtën, zbardhja e bisedimeve, që duhet bërë mbas çdo takimi e bisedimi, ka vlerë vetëm kur ajo pasqyron me saktësi ato që u thanë nga secili. Prandaj ato shënime duhen zbardhur brenda ditës. Edhe njoftimet me radiogram duhet t’u qëndrojnë sa më besnikë pikëpamjeve që ngrenë ata. Por këtu duhet pas gjithmonë parasysh ruajtja rigoroze e sekretit të shifrës.
2) Takimet tona me miqtë m-l duhet si rregull të bëhen në formë legale dhe në ambasadë. Këtë janë ato më të dëshirueshmet për ne. Por duke marrë parasysh situatën atje, ne kemi lejuar edhe disa takime jashtë ambasadës. Për të parat nuk kemi ndonjë porosi të veçantë, por duhet pasur parasysh se edhe ambasada nuk mund të konsiderohet një vend i sigurt nga përgjimet e policisë. Prandaj edhe atje duhet pasur një kujdes i madh në bisedat për problemet sekrete. Për të dytat dëshirojmë të themi disa fjalë më shumë:
a) Këto lloj takimesh do t’i bëjmë atëherë kur është vërtetë e domosdoshme, kur nuk mund të ndiqet rruga e parë. Në këto raste duhet që më parë mundësisht të mos përdoren telefonat, as ata nga rruga, (kurse ata nga ambasada ose shtëpia në asnjë mënyrë dhe sidomos kur flitet me parulla):
b) Shoku që do të shkojë në takim, të mos ketë asnjë dokument kompromentues me vete dhe asnjëherë të mos shkojë i pashoqëruar me ndonjë shok tjetër.
c)Në asnjë rast të mos bëhen takime të fshehta me njerëz që ndiqen për t’u arrestuar, ose me njerëz që nuk i kemi pas njohur më parë.
d)Bisedat me këta persona duhet të jenë të shkurtra dhe konçize. Ato duhet të zhvillohen jo nëpër skuta ose vende që ngjallin dyshime, por në vende serioze, ku mund të tërheqin më pak vëmendjen e policisë.
dh)Të vihet re mirë që më parë nëse ka ndonjë ndjekje nga agjentët e policisë. Po të dyshohet nga ndonjë gjë e tillë, menjëherë të hiqet dorë nga takimi. Takime të tilla të bëhen vetëm me elementë udhëheqës të Partive m-l, ose me ndërlidhës të autorizuar prej tyre, për të cilët kemi rënë dakord më parë. Por asnjë takim të tillë sekret nuk pranojmë të bëjmë me përfaqësues të grupeve apo partive të tjera të majta, të cilat qofshin ato dhe nga çdo shtet që do vijnë. Nëse këta vijnë në ambasadë, ne i presim, i dëgjojmë me qetësi për çdo gjë, rezervohemi shumë në përgjigjet tona, nuk marrim asnjë angazhim, vëmë në dukje detyrat zyrtare të përfaqësisë, japim ndonjë material legal ideologjik po të jetë nevoja dhe pa e zgjatur muhabetin. Mbasi kemi dëgjuar çdo gjë që na duhet, i japim fund bisedës me ta. Kur elementë të tillë na interesojnë t’i mbajmë në lidhje, atëherë indirekt informohemi mirë për ta, i mbajmë lidhjet si miq dhe kaq.
(vijon nesër)
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
