Eksperti i sigurisë, Besmir Semanaj ka folur për rrezikun që paraqet publikimi i të dhënave të punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), duke e cilësuar situatën si një cenim serioz të sigurisë së këtij institucioni.
Sipas tij, publikimi i informacionit për punonjësit e SHISH përbën një “prerje në besë” ndaj tyre, ndërsa theksoi se pasojat mund të shtrihen edhe përtej këtij institucioni.
“Ky informacion sekret është prerje në besë për punonjësit e SHISH nga ata që duhet të ishin treguar të kujdesshëm dhe duhej t’i ruanin ato. Por përgjegjësit e këtij institucioni kanë halle të tjera, dhe jo të ruajtjes dhe sigurisë së informacioneve të punonjësve të tyre. Ne s’e dimë se çfarë është hakeruar. Mund t’i ndodhë ushtrisë, apo policisë. S’e dimë se çfarë ka humbur shteti shqiptar.
Sa i përket investigimit, nuk ka nevojë për prova të reja, pasi një pjesë e madhe e këtyre numrave mund të verifikohet. Ju siguroj se do të dalin 720 persona me emër, mbiemër, adresë shtëpie dhe të gjitha të dhënat e tyre. Sikur dhe një person të cenohej, pasi është një institucion i rëndësisë së lartë. Shqiptarët i quajnë spiunë, por ata janë profesionistë të rëndësishëm, të nderuar. Agjentët duhet të mbrohen, rrjeti i SHISH është kompromentuar.”, tha ai për emisionin “Minuta e parë” në Nes24 me Ola Brukon.
