Nisma Thurje ka reaguar lidhur me ngjarjen e rrethimit të televizionit News24, duke e cilësuar këtë akt si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe vetë themeleve të demokracisë.

Në deklaratën e saj thuhet se çdo përpjekje për të kufizuar mendimin e lirë dhe për të ushtruar presion mbi gazetarët, qoftë përmes ndërhyrjeve të pajustifikuara apo metodave të tjera, dëmton të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar dhe minon aftësinë e shoqërisë për të mbikëqyrur pushtetin.

Nisma dënon me forcë çdo formë presioni – qoftë ai i natyrës administrative, ekonomike apo përmes frikësimit – që ushtrohet ndaj mediave si News24, Panorama Group dhe Balkanweb.

Deklaratë e Nismës Thurje mbi rrethimin e News24:

Liria e medias është një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë dhe një nga garancitë kryesore që qytetarët kanë për të marrë informacion të pavarur, të balancuar dhe të vërtetë. Një shoqëri që kufizon zërat e lirë rrezikon të humbasë aftësinë për të mbajtur qeverisjen nën vëzhgim dhe për të zhvilluar një debat të hapur e të ndershëm.

Çdo vendim arbitrar që ndikon në funksionimin e mediave cënon pluralizmi i mendimit. Ky pluralizëm është themeli mbi të cilin qytetarët mund të formojnë gjykimet e tyre, të marrin vendime të informuara dhe të mbajnë institucionet përgjegjëse.

Nisma Thurje shpreh shqetësimin për çdo formë presioni, direkt apo indirekt, ndaj medias dhe gazetarëve të News24. Presioni mbi median, qoftë në formën e kufizimeve administrative, presioneve ekonomike apo kërcënimeve, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për lirinë e shprehjes dhe për të drejtën e publikut për t’u informuar.

Të drejtat e gazetarëve për të punuar pa frikë, pa ndërhyrje dhe pa autocensurë janë të pandashme nga një demokraci funksionale. Kur këto të drejta cenohen, humbet jo vetëm media, por edhe qytetarët që mbështeten tek ajo për të ditur të vërtetën.

Në këtë frymë, ne dënojmë çdo ndërhyrje arbitrare në punën e gazetarëve të rrjetit mediatiak News24, Panorama Group dhe Balkanweb.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: