Analisti dhe profesori nga Kosova, Milazim Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të qeverisë dhe drejtësisë shqiptare për ndalimin e sinjalit të News 24 dhe dëbimin e gazetarëve nga redaksitë.
Ai i cilëson këto veprime si një episod ekstrem brutaliteti ndaj lirisë së medias dhe gazetarisë në Shqipëri, një vend kandidat për Bashkimin Europian, i cili duhet të respektojë standardet dhe rekomandimet europiane për median.
Krasniqi thekson gjithashtu nevojën për zgjidhje më të buta në rastet e kontesteve pronësore dhe politike për të mos dëmtuar punonjësit dhe misionin e gazetarisë.
Postimi i profesorit dhe analistit nga Kosova Milazim Krasniqi:
Dëbimi i gazetarëve nga redaksitë dhe ndalja e sinjalit të News 24 është episod brutaliteti ekstrem i qeverisë dhe drejtësisë ndaj medies e gazetarisë në Shqipëri.
Po të përdoreshin çështjet pronësore-biznesore, ose aspekte të interesave politike të pronarëve të medies, me siguri 90 % e medieve do të mund të mbylleshin, jo vetëm në Shqipëri po kudo në rajon e në një % të lartë edhe në shtetet europiane. (Besoj se më së paku mediet e Berluskonit e të Rupert Mardokut do ta kalonin testin e pastërtisë në biznes.)
Në raste kontestesh pronësore-juridike të pronarit me qeverinë e me drejtësinë, duhet të gjendet version i butë i zgjidhjes së kontesteve, që të mos penalizohen punonjësit dhe të mos dëmtohet gazetaria. Veprimet kaq brutale të qeverisë e drejtësisë ndaj medies e gazetarisë në një shtet kandidat për BE, si Shqipëria, janë tregues se shteti kandidat, e pakta në këtë stad ku është, injoron standardet e BE-së në fushën e medieve. Shqipëria në këtë stad do të duhej të zbatonte rekomandimet dhe zgjidhjet që ka adoptuar Bashkimi Europian për mediet e gazetarinë.
