Prej së shtunës së kaluar godina e News24 ndodhet e pushtuar, teksa gjithçka erdhi befasisht dhe pa paralajmërim, në orët e para të mëngjesit nga Policia e Shtetit, Policia ushtarake dhe punonjësit e “KAYO”, kompania shtetërore e prodhimit të armëve, e drejtuar nga Ardi Veliu. Një agresion i tillë ndaj një kompleksi mediatik nuk ishte parë ndonjëherë dhe mjaftoi ky moment që të shënohej në Shqipëri precedenti më i rrezikshëm i cenimit të lirisë së shprehjes dhe pengimit të gazetarëve në punën e misionin e tyre. Mediat News24, BalkanWeb, Panorama Online, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Radio RASH janë nxjerrë nga godina pas një aksioni të pajustifikuar nga autoritetet shtetërore, ndërsa gazetarët ndodhen në rrugë.
Që nga mëngjesi i 9 gushtit, sinjali i transmetimit të televizionit të parë informativ dhe më i madhi në vend, News24, është ndërprerë në mënyrë arbitrare. Gazetarët nuk lejohen të aksesohen në ambientet e tyre të punës dhe kompjuterat e tyre, materialet e punës dhe sendet personale janë plaçkitur dhe mbahen nga Policia Ushtarake dhe punonjësit e KAYO si të ishin mjete të kundraligjshme dhe të përbënin rrezik.
Polici-Ushtri-KAYO vepruan me arrogancë e shurdhëri ndaj kërkesave të gazetarëve dhe në shkelje të plotë të vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila i dha të drejtë punonjësve të Focus Media News që të marrin sendet personale dhe dosjet e tyre të punës e kompjuterat nga redaksitë që u zaptuan pa asnjë vendim gjykate apo pa u shoqëruar nga përmbarimi.
Pavarësisht nga vendimi i Gjykatës, struktura që drejton ish-kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, njeriu që mbart mbi vete historik të shëmtuar nga puna e tij në uniformat blu, vijon të shkelë ligjin dhe Kushtetutën.
Por pavarësisht nga represioni i pazakontë, gazetarët e News24, BalkanWeb dhe Panorama kanë vendosur të mos tërhiqen, megjithëse në kushte jo komode pune, në temperatura të larta, ata kanë vijuar punën duke improvizuar studion e lajmeve, intervistave dhe bashkëbisedimit me qytetarët mu aty përpara godinës së zaptuar, sepse misioni i gazetarit është e drejta e informimit, e përcaktuar dhe mbrojtur me Kushtetutë.
Ndonëse gjatë këtyre ditëve, misioni diplomatik i akredituar në Tiranë, Ambasada e SHBA-së, Delegacioni i BE-së, Ambasada e Holandës, gjermane etj, organizata mediatike të huaja e brenda vendit, aktivistë, deputetë të opozitës dhe jo vetëm kanë kërkuar intensivisht respektimin e vendimit të Gjykatës, lejimin e gazetarëve të kryejnë detyrën, sërish heshtja dhe shkelja e ligjit vijon.
Deri kur kështu?
(BalkanWeb)
