Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka reaguar përmes një deklarate për mediat, mbi atë që ai e ka quajtur ndërhyrje e paprecedentë e datës  9 gusht 2025 ndaj “Panorama Group” sh.a., ku forcat e policisë dhe përfaqësues të shoqërisë “Kayo” sh.a. kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme ambientet e kompanisë, kanë ndërprerë sinjalin e News24 dhe kanë penguar funksionimin e mediave të tjera të grupit.

Në deklaratë, Duka tha se “ky është një cenim i rëndë ndaj lirisë së medias, e garantuar qartësisht nga Kushtetuta. Nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm ndaj një institucioni mediatik, por për një dhunim të hapur të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar lirshëm dhe pa ndërhyrje”.

Mbi ndërhyrjen ndaj “Panorama Group” sh.a. dhe cenimin e lirisë së medias

Partia Agrare Ambientaliste dënon me indinjatë të thellë ndërhyrjen e paprecedentë të datës  9 gusht 2025 ndaj “Panorama Group” sh.a., ku forcat e policisë dhe përfaqësues të shoqërisë “Kayo” sh.a. kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme ambientet e kompanisë, kanë ndërprerë sinjalin e Neës24 dhe kanë penguar funksionimin e mediave të tjera të grupit.

Ky është një cenim i rëndë ndaj lirisë së medias, e garantuar qartësisht nga Kushtetuta. Nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm ndaj një institucioni mediatik, por për një dhunim të hapur të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar lirshëm dhe pa ndërhyrje.

Pasojat e kësaj ndërhyrjeje shkojnë përtej kufijve të një redaksie: dhjetëra gazetarë dhe punonjës, bashkë me familjet e tyre, rrezikojnë të hidhen në rrugë, pa të ardhura, pa siguri dhe pa dinjitet. Të ndalësh zërin e lirë dhe t’i mohosh mjetet e jetesës atyre që e mbajnë gjallë është një veprim që turpëron çdo standard demokratik dhe çdo ndjenjë njerëzore.

Partia Agrare Ambientaliste qëndron krah çdo mediaje dhe gazetari që punon me integritet për të informuar publikun dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për censurë, intimidim apo bllokim të fjalës së lirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb