Emri i Agron Gjekmarkajt, bashkë me atë të Mark Markut dhe Preç Zogajt, gjendej në listën e Lezhës propozuar nga baza demokrate si kandidatë për në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I pyetur nga Politiko.al, Gjekmarkaj thotë se nuk ka aspiruar ndonjëherë të bëhet deputet dhe se nuk ka pranuar ta plotësojë formularin që i kanë kërkuar. Më poshtë pedagogu dhe analisti politik shpjegon…

Z. Gjekmarkaj, emri juaj figuron në listat e kandidatëve të PD të propozuar nga baza. Si ju bën të ndiheni kjo?
I dashur Alfred, nuk kam aspiruar ndonjëherë të bëhem deputet, madje as tani që të kthej përgjigje ty. Dua të them që qëllimet e mia kur kam mbajtur qëndrime e mbaj ndaj kësaj qeverie nuk kanë qenë në funksion e nuk janë të kësaj ideje. Deputeti, në shumicën e rasteve është shndërruar në figurë komike që qesh e qan me urdhër. Nuk jam i kësaj kategorie. E kam parë në media emrin tim, më kanë kontaktuar disa sekretarë partie të PD, persona tejet të respektuar të rretheve për të plotësuar një formular, sepse më kanë propozuar qytetarë të ndryshëm të cilëve u jam mirënjohës me përultësi që kanë gjetur sintoni me ato që unë kam thënë e shkruar publikisht, por nuk kam pranuar të plotësoj asnjë formular, sepse s’kam asnjë lutje për t’i bërë PD –së, paçka se uroj që të ndodhë rotacioni e shumë me tepër ndryshimi.

A jeni në dijeni të procedurës, çfarë pritet të ndodhë tani, kush e certifikon propozimin, a jeni kontaktuar nga lidershipi i PD?
Nuk më ka kontaktuar njeri. Ndërkohë që dua ta theksoj se unë jam person publik dhe besoj se propozimi im bëhet pikërisht si kontribues në debatin publik, jo si veprimtar i PD. Në këtë kuptim unë pres që ‘njohja publike’ që i ka bërë baza e PD emrit tim të mos shërbejë si mjet ilustrues dhe propagandistik që e bën lidershipin e PD të legjitimuar me botën intelektuale meqë në ‘lista’ janë edhe Plasari, Marku, Londo, Gjekmarkaj e të tjerë.

Nuk e di se çfarë mendojnë zotërinjtë e tjerë, por mund të hamendësoj se ata nuk janë në radhë për t’u futur në radhën e deputetëve ‘yes menë’ të partive tona. Nga ana tjetër mendoj si unë si ata jemi të interesuar për të dëgjuar pse-të dhe platformat, në këtë rast të lidershipit të PD. Këto platforma nuk gjenden në formularë që parakandidatët duhet të plotësojnë sipas procedurës.

A po thoni se prisni që t’ju kontaktojë Basha?
Unë kam kontakte si me Bashën si me Ramën, me Metën dhe me Berishën, nuk është kjo çështja. Pritshmëritë e mia shkojnë përtej një telefonate nga Basha apo një emri në listë. Si zë publik unë nuk legjitimohem nga lista, por as nuk dua që emri im të ‘freskojë’ listën apo idenë e hapjes. Kjo është një listë paraprake dhe unë mendoj se sa më takon i kam bërë dhe fituar fazat paraprake në komunikimin publik dhe botën akademike!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: