Drejtuesi politik i PD i qarkut Lezhë, Agron Gjekmarkaj ka prezantuar në Lezhë dy kandidatët e PD në këtë qark Gjin Gjoni dhe Lindita Metaliaj.

Gjekmarkaj tha se Lezha ka nevojë për një udhëheqje të re, një frymë të re dhe një angazhim të pakushtëzuar për të ardhmen e saj.

“Pas 12 viteve të qeverisjes së Rilindjes, Lezha ka mbetur në hije, pa ndihmën që meriton. Politikat diskriminuese dhe dështimi i një qeverie që ka privilegjuar interesat e grupeve të ngushta mbi të mirën e qytetarëve, e kanë lënë Lezhën pa zhillimin e merituar.

Bujqësia është shkatërruar, ekonomia ka rënë, shëndetësia është në kolaps dhe arsimi po shkatërrohet çdo ditë e më shumë. Kjo nuk është qeverisje,është një dështim i madh!

Sot, ne kemi një program të qartë dhe të vendosur, një plan emergjent që do ta nxjerrë Lezhën nga ky kolaps. Nuk mund të pranojmë më fasada të shndritshme dhe premtime të pambajtura! As lyerje fasadash pas tërmetit, as manipulime për vota! Lezha ka qytetarë që kërkojnë realitetin, jo mashtrime! Qytetarët që vuajtën nga tërmeti ende presin kompensimet dhe mbështetjen e munguar, ndërsa bashkia dhe qeveria i kanë lënë të vetëm, pa asnjë shpjegim të qartë.

Lezha është e mbytur nga trafiku, kaos në rrugët nacionale dhe asnjë investim në rrugët turistike. E po aq tallëse rruga Milot-Balldren.

Lezha nuk ka më kohë për humbje! Ne e dimë se qytetarët janë të lodhur nga dështimet dhe indiferenca e pushtetit. Ky qytet ka humbur mundësinë të zhvillohet dhe të ecë përpara gjatë këtyre 12 viteve. Ata që pyesin së kë do votonte Fishta, e dëshmojnë fort mirë seriozitetin e shqetësimeve.

Po për çfarë qeverisje mund të flasim për rilindjen? Për një qeverisje që shikon vetëm interesat e ngushta dhe qëllimet e veta, duke lënë pas çdo mundësi zhvillimi për qytetarët e thjeshtë”, tha Gjekmarkaj.

(Balkan Web)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb