Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj ka reaguar pas vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme e cila e shpalli të pafajshëm për akuzën e shpifjes ndaj Adriatik Lapajt.
Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Shehaj thekson se GJKKO vendosi se ai nuk ka shpifur në deklaratat e bëra ndaj kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Sipas kreut të “Mundësia”, të vërtetën për Adriatik Lapajn e dinin të gjithë, por përsëri heshtnin edhe në kohën kur Shehaj denoncoi me fakte se kreu i “Shqipëria Bëhet” kishte marrë para nga krimi i organizuar.
Shehaj nënvizon se pavarësisht gjobës 300 mijë lekë të vendosur nga Gjykata për fyerje, nuk do të heshtë për të denoncuar të vërtetën ndaj kujtdo që mund ta trembë e vërteta.
Agron Shehaj:
Që Adriatik Lapaj merrte para nga krimi i organizuar dhe që ishte i përlyer në tjetërsimin e pronave në bregdet në sistemin e korruptuar gjyqësor e dinin të gjithë.
E dinin partitë politike, e dinin mediat, e dinin gazetarët por askush nuk fliste.
Unë vendosa të them të vërtetën dhe për këtë arsye Adriatik Lapaj më akuzoi për shpifje.
Sot gjykata vendosi që unë nuk kam shpifur.
Një sqarim për gjobën prej 300 mijë lekë: Është e vërtetë, gjykata më ka gjobitur me 300 mijë lekë për fyerje, por kur thua të vërtetën e vërteta ka një kosto.
Shumë veta dhe në këtë rast Adriatik Lapaj është ndier i fyer nga e vërteta, por unë do vazhdoj të them të vërtetën, pavarësisht gjobave dhe pavarësisht se dikush mund të ndihet i fyer.
