Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka komentuar reagimet në rrjet pas shfaqjes së disa artistëve në sallën e gjyqit në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Sipas Shehajt, një shoqëri e cila pranon dhe lejon korrupsionin, nuk del dot nga varfëria, mjerimi dhe nuk ndërton dot një të ardhme.

Kreu i Mundësia nënvizon se shfaqje të tilla si ajo e Veliajt dhe artistëve të cilit i puthin duart kreut te Bashkisë Tiranë, i cili është i akuzuar për korrupsion, janë metodë e zyrtarëve dhe pushtetarëve të cilët duan të normalizojnë vjedhjen e qytetarëve shqiptarë përmes pushtetit që u jepet.

“Një pyetje: Një shoqëri që pranon korrupsionin mund të ketë të ardhme? Një shoqëri që lejon dhe pranon korrupsionin, mund të dalë nga mjerimi dhe varfëria? Unë mendoj se jo, por ky është qëllimi i politikanëve të akuzuar për korrupsion në Shqipëri,”- shprehet Shehaj.

Agron Shehaj thekson se zyrtarët e akuzuar përdorin mediat për të sulmuar prokurorët apo gjykatat.

Shehaj shprehet se qytetarët shqiptarë e duan fundin e pandëshkueshmërisë, teksa u bëm thirrje të reagojnë dhe mos ta pranojnë korrupsionin.

“Disa media më kanë kritikuar në lidhje me qëndrimin tim mbi shfaqjen e dy apo disa aktorëve që puthin duart e Erion Veliaj pavarësisht se është i akuzuar për korrupsion.
Tani, një gjë duhet të jetë e qartë: një shoqëri që nuk dënon korrupsionin nuk ka të ardhme.
Nëse marrim renditjen e vendeve më të korruptuara nga njëra anë dhe renditjen e vendeve më të varfra në Europë nga ana tjetër, do të zbulojmë që aty ku ka korrupsion, ka varfëri. Nuk ka asnjë vend në botë apo në Europë ku, pavarësisht korrupsionit, ka një nivel të lartë jetese.
Dhe praktikisht, çfarë kuptojmë me këtë?
Në Shqipëri nuk mund të ketë të ardhme nëse nuk luftojmë korrupsionin. Nuk mund të ketë të ardhme nëse pranojmë korrupsionin.
Në fakt, ajo që ka ndodhur me Erion Veliaj është ajo që ka ndodhur me pothuajse të gjithë të akuzuarit për korrupsion. Secili prej tyre pothuajse përdor mbështetësit për t’u justifikuar dhe për të dhënë një mesazh të qartë: duhet t’i pranojmë ashtu siç janë, pavarësisht se u ka dalë boja.
Nga ana tjetër, pothuajse secili prej tyre përdor mediat tek të cilat kanë ndikim për të sulmuar prokurorët, për të sulmuar gjykatësit.
Ajo që duhet të bëjmë është pikërisht ajo që bëra unë: duhet të reagojmë. Nuk mund ta pranojmë korrupsionin.
Edhe pse shumica e qytetarëve shqiptarë është kundër korrupsionit dhe i do të akuzuarit për korrupsion para drejtësisë,”- shprehet Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb