Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala.
Berisha siç thotë Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, në përgjigjen e tij, pas pyetjes drejtuar nga gazetarja Lala, ka përdorur një gjuhë denigruese.
Në reagim theksohet se deklaratat e Berishës, përbëjnë sulme personale që cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm.
AGSH më tej nënvizon se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale, etiketimit apo diskreditimit publik për shkak të pyetjeve që shtrojnë, informacioneve që publikojnë apo mënyrës se si ushtrojnë profesionin e tyre.
Reagimi;
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin dhe dënon gjuhën denigruese të përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala.
Deklaratat e Berishës, përbëjnë sulme personale që cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm.
AGSH thekson se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale, etiketimit apo diskreditimit publik për shkak të pyetjeve që shtrojnë, informacioneve që publikojnë apo mënyrës se si ushtrojnë profesionin e tyre.
Çdo politikan, përfshirë drejtuesit e opozitës, ka të drejtën të kundërshtojë raportimet mediatike, të kritikojë përmbajtjen e tyre dhe të kërkojë korrigjimin e pasaktësive.
Megjithatë, kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në një instrument për të sulmuar personalisht gazetarët apo për të vënë në dyshim integritetin e tyre profesional përmes akuzave të pambështetura në fakte.
AGSH vlerëson se një gjuhë e tillë, veçanërisht kur përdoret nga figura me ndikim të lartë politik, rrezikon të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, të minojë besimin publik te media dhe të krijojë një klimë frikësuese për ushtrimin e lirë të profesionit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me gazetaren Klodiana Lala dhe u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë, pa dallim, të respektojnë dinjitetin dhe pavarësinë e gazetarëve.
Me i bëjmë thirrje kreut të PD të tërhiqet nga këto deklarata dhe të kërkojë falje.
