Ish-ministri i Financave, Ekonomisë dhe Punës në Qeverinë e Shqipërisë Arben Ahmetaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se zgjedhjet e fundit nuk janë vjedhur dhe nëse ka pasur ndonjë rast, me to duhet të merret drejtësia.

Ahmetaj u shpreh se opozita e vendit ka 30 vjet që lëshon vrer, ndërsa shtoi se më 30 qershor nuk beson se do të ketë dhunë, pasi është dita e shqiptarëve që të votojnë lirisht.

“Protestat opozitare sot janë tepër të dhunshme, deri në përdorim të bombave molotov. Kjo sjell pasoja në ekonomi, pasi konsumatorët frenohen, duke qenë në këtë gjendje kaosi. Konsumatorët janë aktorë të rëndësishëm.  Këto protesta e dëmtojnë imazhin e vendit, patjetër që dëmtojnë ekonominë. Është njësoj sikur të dini se në Athinë ka protesta të vazhdueshme, a do të shkonit ju në Greqi?

Mendoj se opozita del në rrugë, sepse ata nuk e mundin dot me votë Edi Ramën dhe përpiqen me protesta, duke dalë në rrugë. Askush nga ne nuk thotë që maxhoranca është perfekte, nga i njëjti vend vijmë, por kemi treguar përgjegjshmëri më të madhe. Opozita ka 30 vjet që flet me gjuhë urrejtjeje. Opozita del me urrejtje në rrugë, çfarë është kjo urrejtje kështu. Tjetër temë është: Ku është vërtetuar që janë janë vjedhur zgjedhjet? Në rast se ka pasur ndonjë vjedhje, të shkojë përpara drejtësisë. Dalin këta dhe flasin përpara drejtësisë. Si mund të flasë politika përpara drejtësisë? Vetëm ata e dinë.

Zgjedhjet e fundit kanë qenë më të qetat dhe më të mirat, që nxorën fitues dhe humbës në aspektin numerik, por të gjithë fituam në aspektin moral, sepse dolën zgjedhje të mira. Komisionerët e PD dhe të LSI kanë firmosur gjithashtu. Drejtësia ka punën e vet, nuk mund t’i hyj dot. Nuk ka të vërtetë për vjedhje të zgjedhjeve. Këtu nuk është çështje e votës, por është çështje e humbjes së identitetit të opozitës. Opozitën nuk e konsideroj si armike, në asnjë lloj mënyre.

Janë sulmuar institucionet dhe nuk është normale. Dialogu i kërkohet opozitës, se ne besojmë se nuk mund të vazhdohet më me këtë lloj rruge antiinstitucionale. Shqiptarët kanë votuar Edi Ramën kryeministër me dashurinë e votës dhe nuk kemi ardhur në pushtet me dhunë, siç duan të bëjnë këta. PS nuk e ka ideologji forcën, por kryeministri aktual e ka të qartë definicionin e fitores. Nuk e kemi opozitën armike, e presim në dialog pa kushte”, tha Ahmetaj.

Arben Ahmetaj u shpreh se nuk beson se më 30 qershor, opozita do të bëjë dhunë. Për Ahmetajn, edhe në opozitë ka njerëz të ndershëm që nuk do të lejojnë dhunën, pasi në zgjedhje bëhet fjalë për fatin e shqiptarëve.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb