Zonja Xhevahire Arapi, një banore në qytetin e Durrësit, ka denoncuar në emisionin Tak-Fak në News 24 një situatë problematike me një komshi, i cili ka ndërtuar një objekt pa leje në katin poshtë të apartamentit të saj, ngjitur me murin e ballkonit. Ajo ka treguar se ka qenë dëshmitare e ngjarjes, kur ndodhi ndërtimi i paligjshëm, duke qëndruar në dritare në momentin kur ndodhi prishja e një pjese të objektit.
Sipas Xhevahires, një përfaqësues i autoriteteve, që ajo e përshkruan si nëndrejtor, ka ndërhyrë dhe i ka kërkuar komshiut dokumentat për ndërtimin, por ky i fundit ka pohuar se nuk i kishte ato në atë moment. Pas kësaj, ndihma e autoriteteve ka qenë e fokusuar në kërkesën për prishjen e pjesës së ndërtimit që nuk kishte leje, ndërsa për pjesën tjetër të objektit, komshiu ka kërkuar që ta mbante.
“Nëndrejtori një pjesë të shtëpisë e ka prishur, kam qënë në dritare në momentin kur ka ndodhur dhe i ka kërkuar atij dokumentat. Komshiu tha se nuk i kishte prezente ato .Ai ka kërkuar prishjen e objektit në një pjesë, ndërsa pjesën e mbetur ka kërkuar që ta marrë.” tha ajo
Ndërkohë Drejtori i IKMT Durrës, Dorian Mema, ka deklaruar se aktualisht janë duke pritur një përgjigje nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) lidhur me klasifikimin e objektit.
Sipas Memës, informacionet e mëtejshme do të varen nga përgjigjja që do të vijë nga ASHK, dhe kjo do të përcaktojë hapat e ardhshëm.
Ai ka theksuar se përgjigja nga ASHK është vendimtare për të përcaktuar se si do të procedohet më tej dhe nëse do të ketë ndonjë mundësi për legalizimin e objektit, nëse është i mundur, ose nëse do të ndërhyhet për të prishur ndërtimin e paligjshëm.
“Jemi në dijeni të problemit. Ne po presin një përgjigje nga ASHK për klasifikimin e objektit dhe më tepër duhet të kemi një kërkesë. ” tha ai
(BalkanWeb)