Legjionarët kuqezi, pjesa e tyre më e madhe, zbritën si titullar këtë javë. Protagonisti absolut ishte Arlind Ajeti. Qendërmbrojtësi i Kombëtares realizoi dy gola në fitoren e thellë 0-5 të Adana Demirspor ndaj Bodrumspor, duke shënuar dy golat e parë të takimit dhe duke udhëhequr ekipin drejt një suksesi bindës. Një paraqitje shumë e mirë për mbrojtësin kuqezi, i cili u shfaq vendimtar edhe në fazën ofensive.
Paraqitje të shkëlqyer zhvilloi edhe Taulant Seferi në të njëjtën sfidë. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e pestë të takimit dhe dhuroi asist për golin e katërt, duke mbyllur një ndeshje perfekte. Ky ishte goli i 13-të sezonal në kampionat për Seferin.
Në Turqi spikati gjithashtu Ernest Muçi. Sulmuesi kuqezi realizoi një gol dhe dha një asist në fitoren 3-0 të Trabzonspor në transfertë ndaj Samsunspor, duke qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm për skuadrën e tij. Ky ishte goli i 9-të sezonal në kampionat për Ernest Muçin. Në Itali, Cristian Shpendi ishte protagonist me Cesenan. Sulmuesi shqiptar asistoi për golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Pescarës, ndërsa në fund të takimit shpordëroi edhe një penallti.
Titullarë me klubet e tyre këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Qazim Laçi, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj dhe Anis Mehmeti, të cilët vijojnë të japin kontribut të rëndësishëm me klubet e tyre.
