Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj do të vazhdojë të jetë kandidat i kësaj partie për president të Kosovës, kanë thënë zyrtarët e AAK-së.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi tha në një konferencë për media se kjo parti është e gatshme për zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, raporton Rel.
“Është një situatë jo e lehtë për shkak të pandemisë, prandaj duhet të kemi kujdes edhe partitë politike duke e vlerësuar edhe mendimin e Institutit të Shëndetësisë, prandaj në këto zgjedhje të jashtëzakonshme shkojmë të përgatitur për të qeverisur dhe për të udhëhequr vendin”, tha Isufi, shkruan Rel.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është pjesë e koalicionit të qeverisë në detyrë. Kreu i saj, kishte shpallur synimin për të qenë president, por partitë tjera kanë qenë të rezervuara lidhur me këtë kandidaturë.
Kosova është me ushtruese të detyrës së presidentit qëkur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti në fillim të nëntorit, për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.
Në bazë të Kushtetutës, ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani, mund ta mbajë këtë pozitë deri në gjashtë muaj.