TIRANË- Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantoi për herë të parë monitorimin e cilësisë së ujërave të tre liqeneve kryesore të Tiranës, të Liqenit Artificial, Liqenit të Farkës dhe Liqenit të Kasharit, pas kampionimit dhe analizimit të tyre.

Para prezantimit të të dhënave, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri u shpreh për mediat se ky “është një monitorim paraprak i cili i hap rrugën një monitorimi më të detajuar për vitin 2016 për të patur të dhëna në stinë të ndryshme dhe për të pasqyruar një panoramë më të saktë të nutrientëve në liqen”.

Monitorimi i cilësisë së ujërave të liqeneve kryesore të Tiranës vjen pas monitorimit të liqeneve të mëdhenj nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Gjeni si më poshtë të dhënat e monitorimit
1. Referuar rezultateve të analizave Liqeni Artificial i Tiranës
Referuar vlerave të nevojës kimike për oksigjen (NKO), Liqeni Artificial i Tiranës paraqet një gjendje eutrofike ku duket qarte impakti i shkarkimeve urbane në liqen. I njëjti arsyetim vlen edhe për nevojën biokimike për oksigjen (NBO) ku rezultati i marrë referuar Direktivës Kuadër të Ujit e klasifikon ne gjendje eutrofike. Përmbajtja e azotit rezulton e ulet (< 1 mg/l).

Vlerat e përmbajtjes se nitrateve variojnë nga 0.02 – 0.15 mg/l duke i klasifikuar ujërat e liqeneve të cilësisë oligotrofike. Përmbajtja e fosforit është faktori kryesor që përcakton shkallën e eutrofikimit në ujerat e liqenit.
Vlerat e monitorimit paraprak të kryer nuk e tejkalojnë vlerën kufi të ujerave oligotrofike 10 μg/l. Përmbajtja e këtij parametri varion nga perqendrimi < 0.005 mg/l – 0.045 mg/l. Referuar këtij parametri ujërat klasifikohen si oligotrofike. Pra si klasifikim ujërat e Liqenit Artificial paraqesin gjendje mezotrofike (mesatare).

2. Liqeni Farkës
Liqeni i Farkës paraqet vlerën më të ulet që tregon qartë impakt shumë të ulët ndotjeje në ujërat e këtij liqeni. I njëjti arsyetim vlen edhe për nevojën biokimike për oksigjen ku vlerë më të ulët paraqet Liqeni i Farkës. Përmbajtja e azotit rezulton e ulët (< 1 mg/l).
Pra si klasifikim ujërat e liqenit të Farkës paraqesin gjendje oligotrofike (e pastër).

3. Liqeni i Kasharit
Ujërat e këtij liqeni paraqiten më të ndotura pasi vlerat e Nevojës Kimike për Oksigjen dhe Nevojës Biokimike për Oksigjen paraqiten të larta, dëshmi e qartë e shkarkimeve urbane në këtë liqen nga banesat përreth. Ujërat e Liqenit klasifikohen në gjendjen eutrofike (nën mesatare).

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb