Pamje tronditëse janë publikuar nga një aksident i rëndë i ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit në zonën e Evosmos në Selanikun perëndimor, ku një makinë e drejtuar nga një shtetas shqiptar u përplas me shpejtësi me ambientet e jashtme të një taverne të mbushur me klientë.
Një makinë që udhëtonte në rrugën “Agamemnonos” doli papritur nga kursi dhe u përplas pa frenuar fare me tavolinat dhe karriget e biznesit, duke shkaktuar panik të madh. Si pasojë e përplasjes, tre klientë mbetën të plagosur, ndërsa ambientet e restorantit pësuan dëme të shumta materiale.
Oficerët e Policisë Rrugore të Selanikut vunë menjëherë në pranga shoferin 45-vjeçar shqiptar. Testi i alkoolit zbuloi se ai po drejtonte mjetin në gjendje të alkoolizuar Dy matjet e kryera nga policia treguan nivelin 0.77 mg/l dhe 0.74 mg/l, ndërkohë që limiti maksimal i lejuar me ligj është vetëm 0.25 mg/l.
Kamerat e sigurisë të objektit kanë kapur momentin e frikshëm të përplasjes, si dhe veprimin e shoferit, i cili pasi shkaktoi aksidentin, u kthye pas me makinë në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Ngjarja mund të kishte përfunduar në një tragjedi të vërtetë nëse nuk do të ishin lulet dekorative dhe vazot ballore të biznesit që amortizuan goditjen kryesore. “Nëse nuk do të kishim vazot me lule, sot do të kishim funerale,” deklaroi mes tronditjes pronari i tavernës.
Një nga klientet e plagosura tregoi momentet e tmerrit: “Ndihem me fat që jam gjallë. Makina po vinte me shpejtësi marramendëse. Ishte vazoja e luleve ajo që e ndali vrullin e automjetit.”
