Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren-Suharekë ku për pasojë humbi jetën një grua që po drejtonte një veturë me targa të huaja pas përplasjes me një kamion me targa vendore që po transportonte mallra.

Policia e Kosovës deri tani ka konfirmuar vdekjen e vetëm një personi, por në media u raportua edhe për një viktimë të dytë dhe se të dyja gratë që humbën jetën tragjikisht ishin nga Shqipëria.

Portali “Sinjali” raportoi se si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesja e veturës, Elizabet Katija, 43-vjeçare, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, vdekje e cila është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent.

Fillimisht e lënduar rëndë, pasagjerja në veturë, Eorda Sinollari, 32-vjeçare, ka ndërruar jetë më pas nga plagët e rënda. Ajo ishte dërguar ë Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren.

Në aksident është lënduar edhe drejtuesi i kamionit, Munish Grajçefci, i cili po merr trajtim mjekësor.

Mjetet e përfshira në aksident janë një veturë Mercedes GLE, me targa AB, e drejtuar nga Elizabet Katija (viktimë), dhe një kamion Mercedes Atego, i drejtuar nga Munish Grajçefci (i lënduar).

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb