Një aksident i rëndë detar ka ndodhur pasditen e sotme në Gjirin e Ksamilit, ku një mjet lundrues është përplasur me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e fortë dhe dyshohet se si pasojë një person ka humbur jetën. Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi identitetin e viktimës apo rrethanat e plota të ngjarjes.

Në vendin e aksidentit kanë mbërritur forca të shumta policie dhe ekipet e emergjencës, të cilat po kryejnë veprimet e para hetimore dhe po asistojnë personat e përfshirë.

Burime paraprake bëjnë me dije se dy ambulanca kanë transportuar dy persona drejt urgjencës së spitalit të Sarandës. Dyshohet se njëri prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa gjendja e personit tjetër nuk dihet ende.

Viktima është Albiano Kreçi, 20 vjeç, banor i Ksamilit.

Njoftimi i policisë:

Ksamil, Sarandë/Informacion paraprak

Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.

Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb