Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në autostradën Levan-Tepelenë, pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Levanit”.

Mësohet se dy automjete, një “Audi” dhe një “Benz”, janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e “Audit”.

Viktima është identifikuar si Dashmir Beca, 55 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka humbur jetën në vendngjarje dhe është transportuar drejt morgut.

Në aksident janë përfshirë edhe persona të tjerë. Tre pasagjerët që ndodheshin në “Audi” janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Edhe drejtuesi i automjetit tip “Benz” është transportuar në spital dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht, dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të ketë qenë një prej shkaqeve të përplasjes, duke e bërë të pamundur manovrimin në kohë të automjeteve. Megjithatë, shkaku i saktë i aksidentit pritet të përcaktohet pas hetimeve.

Fier/Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, shtetasi G. M., 40 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përfshirë në një aksident rrugor me një automjet tip “Audi”, me drejtues shtetasin D. B., 55 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi D. B., ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi G. M., si dhe tre pasagjerët që ndodheshin në automjetin tip “Audi”, janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb