Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Berat–Rroshnik, në fshatin Duhanas.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet që drejtohej nga Sajmir Rripi, 40 vjeç, ka dalë nga rruga teksa qarkullonte nga fshati Duhanas në drejtim të Beratit, duke u përplasur me bordurën anësore të rrugës. Përplasja ka qenë fatale dhe 40-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Në vendin e aksidentit kanë mbërritur efektivë të policisë rrugore, të cilët po kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Trupi i pajetë i viktimës është transportuar me ambulancë drejt Morgut të Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.
