Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të hënë në rrugën e Myltes, në Lezhë, ku një automjet tip Ford ka përplasur një fëmijë 12 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë.
I mituri ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lezhës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka mbërritur në vendin e aksidentit dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij incidenti.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të kuptuar nëse janë respektuar rregullat e qarkullimit rrugor në momentin e përplasjes.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:40, në fshatin Mylte, Lezhë, automjeti me drejtuese shtetasen D. N., 39 vjeçe, është përplasur me një biçikletë që lëviste një shtetas i mitur, rreth 12 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, i mituri ka pësuar dëmtime dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Lezhë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesja e automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
