Një aksident rrugor është regjistruar në Vërtop, përgjatë aksit nacional Berat-Poliçan, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga një lartësi disa metra.
Sipas informacioneve paraprake, një mjet tip “Toyota”, që udhëtonte nga Berat në drejtim të Poliçan, ka humbur kontrollin duke përfunduar jashtë rruge.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur tre persona, një 40-vjeçar dhe dy vajzat e tij, përkatësisht 14 dhe 9 vjeçe, të cilët ndodheshin në automjet në momentin e ngjarjes.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitali Rajonal i Beratit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.
