Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Emiratet e Bashkuara Arabe, ku të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje masive që përfshiu 18 automjete dhe pesë kamionë në emiratit e Fujairah.

Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së enjtes, më 12 nëntor, në rrugën Sheikh Khalifa bin Zayed, pranë hyrjes së emiratit.

Sipas Policisë së Fujairah, drejtuesi i një kamioni humbi kontrollin e automjetit pak para mesnatës, duke u përplasur fillimisht me një tjetër automjet. Kamioni u përmbys dhe goditi disa makina që ishin ndalur për shkak të trafikut të rënduar.

Përplasja shkaktoi një zjarr të fuqishëm, i cili u përhap me shpejtësi edhe në disa prej automjeteve të tjera të përfshira në aksident.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, zjarrfikësit, ambulancat dhe forcat e policisë, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve dhe transportimin e të plagosurve në spitalet e zonës.

Autoritetet bëjnë me dije se 15 prej të plagosurve janë larguar nga spitali, ndërsa 15 të tjerë vijojnë të marrin trajtim mjekësor.

Mes viktimave ka edhe shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa për identifikimin e disa prej personave të tjerë që humbën jetën po përdoren testet e ADN-së.

Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se ekipet e specializuara po hetojnë shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: