TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për vdekjen e 33-vjeçares Bujana Bushi, e cila humbi jetën në një aksident rrugor në aksin Kavajë-Rrogozhinë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha nënvizon se Bushit i janë marrë 100 mijë euro, ndërsa policia nuk e ka bërë publike këtë fakt.
Ndërsa ngushëllon familjarët e 33-vjeçares për humbjen e madhe, ish-kryeministri i bën thirrje për hetim me përparësi të kësaj ngjarje, dhe vendosje të përgjegjësve para drejtësisë.
“Një krim i llahtarshëm për të cilin akuzohen çunat e Saimir Shullazit!! Të dashur miq, një lajm i llahtarshëm ka tronditur thellë mbarë opinionin tonë publik. Mediat bëjnë me dije se një nënë e re, Bujana Bushi, 33 vjeç, ka humbur katër ditë më parë jetën në një aksident në autostradën Kavajë-Rrogozhinë. Policia nuk e ka njoftuar në media vdekjen e saj por nga spitali i Durrësit familja është njoftuar të vinte të merrte trupin e saj të vendosur në arkivol dhe pa asnjë nga objektet dhe aksesorët e saj personalë. Familja njofton se e ndjera Bujana kishte në çantën e saj 100 mije euro me të cilat do të blinte shtëpi në Tiranë, por që janë zhdukur pa nam dhe nishan nga Policia që nuk e ka bërë publike aksidentin as dhe aktin makabër të vjedhjes të të vdekurës.
Duke i shprehur ngushëllimet me te sinqerta familjes se Bujanes, dënoj me ashpërsinë me te madhe dhe indinjatën më të thelle aktin e makabër të vjedhjes të të vdekurës nga “çunat” e krimit dhe i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetoje me përparësinë më të madhe këtë akt të pashembullt barbar dhe primitiv dhe të vendosë para ligjit autorët e tij! Sb”, shkruan Berisha.
(b.e/BalkanWeb)
