Detaje të reja për aksidentin e pazakontë të ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 05:00 te diga e Liqenit Artificial.
Aksidenti i bujshëm tërhoqi vëmendjen, pavarësisht se nuk pati persona të lënduar për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën kishte lëvizur mjeti “BMW X6” para se të ngjitej në një lartësi të konsiderueshme te Diga dhe të ndalej vetëm nga bordura e betonit mbi liqen.
Policia shpalli në kërkim si autor të aksidentit 26-vjeçarin Eldi Alushi, i cili u shoqërua pasditen e djeshme. Por ndërkohë gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se Alushi ka dhënë dëshmi kontradiktore në polici. Fillimisht ai ka thënë se që nuk ka qenë drejtuesi i mjetit, por më pas ka deklaruar se shkak i aksidentit ka qenë një defekt teknik i makinës. Në dëshminë e dhënë para policisë 26-vjeçari i cili është pronar i mjetit ka pretenduar se atij se i ka mbetur stakuar gazi i mjetit. Por pas hetimeve, është zbuluar se Eldi Allushi nuk ka qenë në automjet, në makinë ishin dy të rinj të tjerë, Jurgen Alushi bashkë me Emiliano Ninën 28-vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i mjetit. Njëri prej tyre është shoqëruar nga Policia ndërsa Nina është shpallur në kërkim.
