DELVINË- Një ditë pas aksidentit tragjik në Qafën e Muzinës në aksin Sarandë-Gjirokastër, policia e Delvinës ka vënë në pranga drejtuesin e autoveturës tip golf, kryefamiljarin Feruz Lleshi, 38 vjeç. Atij i janë vënë pranga në spitalin Ushtarak në Tiranë.
Sipas të dhënave zyrtare, Lleshi ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me autobusin me studentë që kthehej nga Saranda. Për shkak të këtij aksidenti humbi jetën një 12-vjeçare dhe u plagosën 6 pjesëtarë të tjerë të familjes Lleshi.
Aksidenti ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 16:30, ndërsa në autobus nuk pati asnjë person të lënduar.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia ka bërë arrestimin në flagrancë në ambientet e Spitalit të Traumës Tiranë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, për shtetasin e quajtur:
Feruz Lleshi, 38 vjeç, banues në Elbasan.
Arrestimi i tij u krye pasi më datë 26.06.2016, në aksin rrugor Sarande – Gjirokastër pranë vendit të quajtur “Qafa e Muzinës”, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen” me targë KYB3616, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me automjetin tip “Man-Autobuz” me targë AA655KU, me drejtues shtetasin G.Z., 35 vjeç, banues në Fier, ku për pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të dëmtuar vetëm shtetasit që ndodheshin në mjetin volkswagen:
1- Feruz Lleshi (drejtuesi i mjetit me targë të huaj)
2- R. Ll., 37 vjeç (bashkëshortja)
3- A. Ll., 24 vjeç
4- D. Ll., 10 vjeç
5- K. Ll., 6 vjeç
6- B. Ll., 6 vjeç
7- F. Ll., 4 vjeç, me banim në Elbasan, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim më të specializuar.
Nga ky aksident ka humbur jetën shtetësja D. Ll., 12 vjeç, e cila ka ndërruar jetë në Spitalin e Gjirokastrës. Materialet iu dërguan Prokurorisë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
(m.k/BalkanWeb)
