Policia e Bulqizës ka arrestuar drejtuesin teknik të një subjekti minerar, pas aksidentit tragjik në punë që i mori jetën një 40-vjeçari.
Në pranga është vënë shtetasi P. K., 63 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë, i cili ushtronte detyrën e drejtuesit teknik në subjektin minerar ku ndodhi ngjarja.
Sipas Policisë, arrestimi u krye pas veprimeve hetimore të zhvilluara në lidhje me aksidentin e ndodhur më 1 gusht 2026, ku humbi jetën shtetasi I. K., 40 vjeç. Nga hetimet paraprake dyshohet se 63-vjeçari nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, çka dyshohet se solli aksidentin fatal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
